Kryeministri Edi Rama ka mohuar akuzat për përfshirje në korrupsion dhe për fuqizimin e korrupsionit në institucionet shtetërore gjatë viteve të tij në politikë.
Duke iu referuar periudhës kur drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe më shumë se 13 viteve në krye të qeverisë, Rama tha se nuk ka kryer asnjëherë veprën penale të korrupsionit.
Ai deklaroi gjithashtu se çdo investitor që ka përfituar të drejtë zhvillimi apo mundësi investimi përmes firmës së tij, e ka përfituar atë, sipas tij, në përputhje me ligjin.
“Nuk ka një provë të vetme që një bir nëne ta ketë një qindarkë të tijën në xhepin tim apo në të ardhurat e familjes tonë, apo në këmbim të një firme të vetme të hedhur nga unë si kryebashkiak apo si kryeministër. Nuk ka ndodhur kurrë”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se nuk pretendon të jetë i pagabueshëm, por mohoi kategorikisht se e ka përdorur pushtetin për përfitime financiare apo prona.
“Nuk jam engjëll apo i pagabueshëm, po fajin që në mënyrë bastardë nuk kam bërë kurrë, të trajtoj për para apo për prona pushtetin që shqiptarëve u kam kërkuar për të ndryshuar Tiranën apo Shqipërinë”, u shpreh ai.
Rama theksoi se ata që kanë përfituar të drejta zhvillimi apo investimi përmes firmës së tij, sipas tij, e dinë se pushteti i tij nuk është përdorur për favore të paligjshme.
“Jam për të lënë emrin, jo për të mbushur xhepin, jam për të bërë histori, jo për të bërë pasuri, jam për të transformuar Shqipërinë dhe jo për të deformuar vetveten”, deklaroi kryeministri.


