Thyen xhamin dhe merr kasën me paratë, arrestohet 32-vjeçari në Vlorë

Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Reagimi”, duke identifikuar dhe arrestuar një 32-vjeçar, i dyshuar për vjedhjen e një supermarketi në lagjen “Bashkimi”.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur gjatë natës, kur autori dyshohet se ka thyer xhamin e derës së supermarketit dhe ka marrë kasën, brenda së cilës ndodhej një shumë parash.
Pas marrjes së njoftimit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë nisën veprimet hetimore. Nga provat e mbledhura gjatë hetimit u bë i mundur identifikimi dhe lokalizimi i të dyshuarit, shtetasit E. B., 32 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan kasën e marrë nga supermarketi, në cilësinë e provës materiale.
32-vjeçari u arrestua dhe ndaj tij janë referuar veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për të verifikuar nëse i arrestuari është i përfshirë edhe në vjedhje të tjera.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.




