Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave se arrestimet dhe procedimet e zyrtarëve të lartë dëshmojnë se vendi është “mbytur nga korrupsioni”. Ai është shprehur se pikërisht hetimet ndaj zyrtarëve dh ndërhyrja e drejtësisë ndaj funksionarëve të lartë janë tregues se Shqipëria po zhvillon një luftë kundër korrupsionit.
Gjithashtu gjatë fjalës, Rama iu referua edhe arrestimit të Berishës, protestuesve të vrarë në bulevard dhe çështje të tjera që lidhen me abuzimet dhe korrupsionin shtetëror. Rama deklaroi se Shqipëria e së kaluarës nuk prekte ministra, drejtorë apo kryebashkiakë, ndërsa akuzoi qeveritë e mëparshme për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
"Pikërisht për emrin, për Shqipërinë, e dua me kokën lart, me flamurin sa më lart, të barabartë, në tryezat më të larta, në BE brenda kësaj dekade me drejtësi të pavarur prej meje. Prandaj sot, më kanë ndalur në këtë sallë tema e drejtësisë dhe kur kundërshtarët e mi, që nga të përdalët e rrugëve opozitare te dështak zemërakët kujtojnë se kanë shpikur bombën që do hedhë Edi Ramën. Le ta hedhin atë bombë mëngjes drekë dhe darkë. Ta shpërthejnë orë e çast në pasqyrat sociale a thua se përsëritja e një fjale të ndyrë do zhbëjë pastërtinë e luftës sime të gjithanshme që duan s’duan i riktheu këtij vendi kryeqytretin e varrosur në plehra dhe po transformon Shqipërinë dhe ngre vendin drejt një maje ku ska qenë kurrë. Në asnjë vend të mbytur me korrupsion nuk ka luftë frontale kundër korrupsionit. Në asnjë vend të mbytur prokuroria nuk heton vetë pushtetin por i mbron ata. Në asnjë vend drejtësia nuk prek ministra, drejtorë, kryetarë bashkish por vetëm rri dhe pret urdhërin e pushtetit për të goditur kundërshtarët. Vendin e mbytur në korrupsion e kemi jetuar të gjithë ku kryetari i opozitës burgosej me urdhër nga lart, ku protestuesit vriteshin me plumba të paguar nga taksapaguesit, ku fletëthirrjet e prokurorisë për vrasjet shtetërore në mes të bulevardit bëheshin letra higjenike në zyrën e kryeministri që denigronte prokuroren si lavire bulevardi., ku drejtori i taksave qëndronte në krye të detyrës nga arresti shtëpiak e 26 të pafajshëm të vrarë në shpërthimin e një projekti korruptiv të Ministrisë së Mbrojtjes u trajtuan si viktima të fatkeqësisë natyre. Ata 4 të vrarë në bulevard nuk kanë marrë drejtësi" tha Rama.

