Kapiteni i Bjellorusisë, Zakhar Volkov, ka komentuar humbjen 2-0 ndaj Shqipërisë në startin e Ligës së Kombeve, duke argumentuar se skuadra e tij po zhvillonte një paraqitje të mirë deri në momentin e penalltisë së akorduar në favor të kuqezinjve.
Sipas mbrojtësit, 11-metërshi ndikoi psikologjikisht te skuadra bjelloruse, ndërsa goli i dytë, i pësuar në fundin e pjesës së parë, e bëri edhe më të vështirë situatën.
Volkov foli edhe për debatin me arbitrin pas vërshëllimës për përfundimin e pjesës së parë, duke pranuar se e kishte sharë gjyqtarin.
“Për asgjë konkrete në fakt. Unë as anglisht nuk di mirë. Kështu që, thjesht e shava pak. Sipas mendimit tim, ai mund të kishte vërshëllyer disa faulle edhe në favorin tonë.”
Kapiteni bjellorus komentoi edhe atmosferën e krijuar nga tifozët shqiptarë në stadium, duke thënë se presioni i tyre nuk ndikoi negativisht te skuadra.
“Jo, nuk na ndikoi për keq, përkundrazi, është kënaqësi të luash në transfertë në një atmosferë të tillë. Unë vetëm e shijova. Për ndeshje të tilla punon dhe stërvitesh çdo ditë. Është një adrenalinë e vërtetë.”
Volkov theksoi se Bjellorusia nuk ka mundësi të luajë ndeshjet në shtëpi dhe shtoi se një atmosferë e ngjashme në favor të skuadrës së tij mund të kishte ndikuar edhe në rezultat.
“Fatkeqësisht, ne nuk mund të luajmë në shtëpinë tonë. Besoj se edhe ne do të kishim mbledhur shumë tifozë dhe mbase rezultati do të ishte ndryshe. Është gjithmonë më mirë të luash në shtëpi.”


