Çfarë e shkaktoi shpërthimin?/ Tragjedia në familjen shqiptare që humbi 4 anëtarë gjatë pushimeve në Greqi, mbërrijnë në Athinë të afërmit e viktimave
Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të forta ndaj kundërshtarëve të tij politikë dhe kritikëve, duke komentuar debatin rreth drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. Rama i akuzon kundërshtarët se e shohin SPAK-un si “armën e vetme fatale” kundër tij dhe se besojnë se përmes akuzave ndaj tij mund ta rrëzojnë politikisht.
Duke folur për zhvillimet në drejtësi, Rama e cilëson reformën si një ndryshim historik për Shqipërinë, ndërsa pranon se procesi i vetëpastrimit të sistemit është i zhurmshëm, i dhimbshëm dhe, sipas tij, në raste të caktuara prek edhe individë të pafajshëm.
Në përfundim, Rama deklaron se pavarësisht përplasjeve politike dhe zhvillimeve rreth drejtësisë, Shqipëria nuk do të kthehet pas. “Askush dhe asgjë nuk do ta ndalë, nuk do të na ndalë, nuk do të më ndalë”, shprehet kryeministri.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Dhe padyshim, nuk e solli pavarësinë e drejtësisë PeDeja, sorrat, korbat e dështakzemërakët, që sot bërtasin “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni” dhe e shikojnë SPAK-un si armën e vetme fatale kundër meje, që i kam mundur e mundur në çdo zgjedhje, e që i mund në këto betejat e shpifura të arenës politike dhe mediatike te akuzave e të shpifjeve, sa herë u gënjen mendja se më zunë ngushtë e ma bënë gropën.
Po natyrisht, nuk është mundja e tyre që ma prish gjumin dhe asfare nuk është gjelfryrja e pulëkakarisja e tyre e rastit, arsyeja e këtij adresimi të posaçëm.
Ky adresim lidhet me çka po ndodh me korrupsionin e me drejtësinë, e cila është një prej rezultateve historike të misionit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.
Korrupsioni vazhdon të jetë një hije e rrezikshme përgjatë rrugës sonë, por ndryshimi historik është se ai sot përballet me një tjetër sistem, ku janë formësuar e po zhvillohen organe që hetojnë, akuzojnë, gjykojnë dhe konfiskojnë në liri e pavaresi të plotë.
Deri dje korrupsioni ishte sistemi, sot sistemi po e lufton korrupsionin dhe ky është një ndryshim epokal që ka nisur.
Vetëpastrimi i sistemit në këtë fazë ende në formësim të shtetit të ri europian të Shqipërisë është i zhurmshëm. Madje është nganjëherë edhe i pistë dhe shpeshherë po shumë i dhimbshëm.
Ai prek e lëndon edhe individë të pafajshëm, ashtu sikundër keqtrajton e dehumanizon këdo edhe të fajshmit.
Por vetëpastrimi i sistemit është një zhvillim i shumëpritur në organizmin e shtetit, pas një agonie tejet të gjatë sa historia e shtetit shqiptar.
Organizmi i shtetit po fiton imunitet nga sëmundjet e vjetra, e kur kjo fazë e zhurmshme, e pistë dhe e dhimbshme të ketë kaluar; kur emrat, sekretet, jargët, shkrofëtimat e piskamat e tezgave mediatike të jenë fashitur; kur tymrat e pasqyrave digjitale të jenë shpërndarë e pluhurat e kantierit të Reformës në Drejtësi të jenë tretur, atëherë të gjithë do ta shohin se këto zhvillime, janë pjesë jetike e ndryshimit rrënjësor pa kthim ku po ecën sot Shqipëria.
Sot unë jam kthyer në Shqipëri, po Shqipëria nuk kthehet pas.
Askush dhe asgjë nuk do ta ndalë, nuk do të na ndalë, nuk do të më ndalë.
Top Channel