Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pak pas konferencës së jashtëzakonshme të kryeministrit Edi Rama, të mbajtur menjëherë pas kthimit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në fokus të deklaratës së kryeministrit ishte çështja e ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, e cila ndodhet në arrest shtëpie. Rama u shpreh se distancohet nga çështja dhe se Hyseni duhet të përballet vetë me akuzat e drejtësisë. Sa i përket emërimit të saj në krye të SHISH, kryeministri tha se vendimi ishte marrë duke u mbështetur edhe në referencat e marra nga partnerët ndërkombëtarë.
Por qëndrimi i kreut të qeverisë është kundërshtuar nga deputeti demokrat Belind Këlliçi. Në reagimin e tij, ai akuzon Ramën se po përpiqet të shmangë çdo përgjegjësi politike për situatën e krijuar në Shërbimin Informativ të Shtetit.
Këlliçi e cilëson çështjen si një skandal të rëndë dhe ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si Vlora Hyseni u promovua dhe u emërua në drejtimin e institucionit të sigurisë. Sipas tij, fakti që Hyseni është përzgjedhur më herët për poste të rëndësishme nuk mund të justifikohet vetëm përmes referencave të partnerëve ndërkombëtarë.
“Për këtë aferë të pashembullt, Kryeministri tha se nuk ndjen dhe nuk mban asnjë përgjegjësi, edhe pse Vlora Hyseni është promovuar dhe emëruar personalisht nga ai. Sipas tij fajtor për Vlorën, janë referencat e shkëlqyera të partnerëve ndërkombëtarë”, tha Këlliçi ndër të tjera.
Postimi i plotë:
Skandali i rëndë i Shërbimit Sekret, Edi Rama nuk mban asnjë përgjegjësi dhe fajëson SPAK e mediat opozitare!
Siç edhe pritej, Edi Rama nuk mbajti sot asnjë përgjegjësi për skandalin e rëndë të Shërbimit Sekret, ku kreu i saj është nën akuzë për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të informacioneve sekrete për llogari të krimit.
Për këtë aferë të pashembullt, Kryeministri tha se nuk ndjen dhe nuk mban asnjë përgjegjësi, edhe pse Vlora Hyseni është promovuar dhe emëruar personalisht nga ai. Sipas tij fajtor për Vlorën, janë referencat e shkëlqyera të partnerëve ndërkombëtarë!
Edhe pse Vlora Hyseni ishte shërbëtore e koordinatorit të Edi Ramës për bandat, Ergys Agasi. Edi Rama normalizoi sot atë që ka ndodhur, goditjen më të rëndë të sigurisë kombëtare prej abuzimit me pushtetin, dhe quajti faj të rëndë hetimet dhe veprimet e SPAK dhe raportimet e sakta të medias.
Ai sulmoi drejtësinë dhe mediat për korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin të qeverisë dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Edi Rama nuk do ta mbajë dot me forcë pushtetin!
Ai u bë sot edhe më i urryer nga qytetarët, të cilët e shohin qartë se kush është në krye të këtij sistemi të kalbur, të korruptuar dhe të inkriminuar.
Koha e tij ka marrë fund!
