BOTA, 27 September 2026, 16:18

Kaos në aeroportin e Katanias pasi Etna shpërtheu sërish, ‘fluturojnë’ çmimet e biletave

Aeroporti Catania-Fontanarossa është paralizuar sërish për shkak të aktivitetit vullkanik të malit Etna, gjë që ka detyruar autoritetet të pezullojnë operacionet e fluturimit.

SAC, kompania që menaxhon aeroportin, ka njoftuar mbylljen e hapësirës ajrore përkatëse për shkak të emetimit të dendur të hirit në atmosferë dhe kushteve të pafavorshme të erës, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Të gjitha mbërritjet dhe nisjet janë pezulluar zyrtarisht deri në orën 23:59 të së dielës, më 27 shtator.

Fillimisht fluturimet u ndaluan deri në orën 12:00, por më pas masa u zgjat.

Në përpjekje për të kufizuar shqetësimet, kompania u ka kërkuar pasagjerëve të mos shkojnë në terminal pa kontrolluar më parë statusin e fluturimit të tyre me kompanitë përkatëse ajrore.

Ndërkohë, vënë në pah mediat, të shtunën, mbyllja pati pasoja të rënda në të gjithë rrjetin rajonal të transportit.

Pezullimi i fluturimeve shkaktoi një efekt zinxhir në aeroportet e tjera të Sicilisë, si Comiso, Palermo dhe Trapani, të cilat u mbingarkuan papritur nga aeroplanët e shumtë të devijuar atje për shkak të emergjencës.

Menaxhimi i kësaj situate, që la mijëra udhëtarë të bllokuar dhe në kërkim të zgjidhjeve alternative, e shndërroi shpejt një problem logjistik – dhe jo vetëm.

Paraliza ka shkaktuar reagime të forta nga shoqatat, të cilat denoncojnë rrezikun e spekulimit me çmimet e biletave ajrore në një moment cenueshmërie të madhe për qytetarët.

"Acli Terra" ka raportuar rritje jonormale dhe kosto tepër të larta për fluturimet drejt dhe nga ishulli, duke theksuar raste ekstreme, siç ishte linja Verona-Palermo, çmimi i së cilës u rrit në rreth 1.180 euro.

Duke theksuar se nuk duhet lejuar që një emergjencë natyrore të shndërrohet në dëm ekonomik për familjet, shoqata u ka bërë thirrje autoriteteve të monitorojnë rritjen e çmimeve, duke nënvizuar se aftësia për të menaxhuar ngjarje të përsëritura ndikon drejtpërdrejt në besueshmërinë dhe reputacionin e sistemit sicilian në tërësi.