Toskana financon ruajtjen e vezëve për gratë që planifikojnë amësinë në të ardhmen
Rajoni i Toskanës në Itali ka miratuar një ligj të ri, që parashikon mbështetje financiare publike për gratë që dëshirojnë të ngrijnë vezët, për të ruajtur fertilitetin e tyre për një shtatzëni të mundshme në të ardhmen, sipas “Corriere della Sera”.
Ligji për “ruajtjen e fertilitetit për arsye sociale” u miratua me shumicë votash nga Këshilli Rajonal i Toskanës më 23 shtator 2026.
Masa synon të mbështesë të ashtuquajturin “social freezing”, marrjen dhe ngrirjen e vezëve kur gruaja është ende në moshë riprodhuese, në mënyrë që të mund të përdoren më vonë, nëse nevojitet, përmes teknikave të riprodhimit të asistuar.
Sipas ligjit, gratë që plotësojnë kriteret mund të përfitojnë deri në 3 mijë euro.
Përfitueset duhet të jenë 25 deri në 39 vjeç, të kenë rezidencë në Toskanë prej të paktën një viti dhe një ISEE jo më të lartë se 30 mijë euro.
ISEE është treguesi që përdoret në Itali për të vlerësuar gjendjen ekonomike të familjes.
Kontributi mund të përdoret brenda kufirit prej 3 mijë eurosh edhe për përsëritjen e procedurës, nëse ajo është e nevojshme, si dhe për ruajtjen e vezëve të kriokonservuara.
Procedurat duhet të kryhen në struktura të autorizuara, publike ose private të kontraktuara me sistemin shëndetësor rajonal.
Megjithatë, përfitimi nuk do t’u jepet automatikisht të gjitha grave që plotësojnë kushtet, nëse numri i kërkesave tejkalon fondet e parashikuara.
Në këtë rast, përparësi do të kenë aplikantet me ISEE më të ulët dhe, në rast barazimi, gruaja më e madhe në moshë.
Për zbatimin e masës janë parashikuar gjithsej 550 mijë euro: 50 mijë euro për pjesën e mbetur të vitit 2026 dhe nga 250 mijë euro për secilin prej viteve 2027 dhe 2028.
“Social freezing” nuk është trajtim për infertilitetin.
Procedura përdoret nga gra që nuk kanë domosdoshmërisht një problem shëndetësor, por që për arsye personale, sociale ose të tjera dëshirojnë ta shtyjnë shtatzëninë dhe të ruajnë vezët në një moshë më të re.
Me kalimin e moshës, fertiliteti i gruas bie gradualisht, ndaj ngrirja e vezëve synon të ruajë mundësinë e përdorimit të tyre në të ardhmen.
Toskana ndërmori masa për ruajtjen e fertilitetit për arsye sociale që në vitin 2019, ndërsa ligji i ri synon të vendosë një mbështetje financiare më të qëndrueshme për gratë që zgjedhin këtë procedurë.
Sipas raportimeve italiane, Toskana bëhet rajoni i dytë italian, pas Pulias, që ndërmerr një masë të tillë për mbështetjen financiare të “social freezing”.
ATSH

