POLITIKË /

Takim në sallën VIP të Rinasit, Salianji ngre pikëpyetje të forta: A u tërhoq Rama nga dorëheqja pas bisedës me Berishën?

Sipas ish-deputetit, bëhet fjalë për një tjetër marrëveshje mes Berishës dhe Ramës.

Shkruar nga Versus

Takim në sallën VIP të Rinasit, Salianji ngre pikëpyetje

Pak përpara publikimit të deklaratës nga Rinasi të kryeministrit Edi Rama, në aeroport u shfaq edhe kryedemokrati Sali Berisha i cili mësohet se është nisur drejt Strasburgut. 

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ngriti dyshimet se mes Ramës e Berishës kishte patur një takim në aerport. Sipas Salianjit salla VIP e aeroportit, shërbeu si vend bisede mes Berishës e Ramës dhe ngre pikëpyetje nëse kryeministri hoqi dorë nga dorëheqja pas takimit me kryedemokratin. 

"Edi Rama duhet të largohet me forcën e qytetarëve të bashkuar, në sheshe dhe në rrugë. Çdo orë më shumë në pushtet është një orë më shumë shërbim ndaj kapjes së shtetit, grupeve të krimit të organizuar dhe shkatërrimit të institucioneve. Rama nuk i njeh rregullat e demokracisë. Prandaj qytetarët duhet t’ia bëjnë të qartë se pushteti nuk është pronë personale dhe Shqipëria nuk është peng i askujt. Por sot ka edhe një pyetje që kërkon përgjigje të qartë: Sali Berisha ka detyrimin politik dhe moral të bëjë publike çfarë është biseduar me Edi Ramën në aeroport. Çfarë u diskutua? A u tërhoq Edi Rama nga dorëheqja pas kësaj bisede? A u diskutuan garanci të ndërsjella për paprekshmërinë e njëri-tjetrit? A pati ndonjë marrëveshje për të mbajtur Shqipërinë peng të një skeme të vjetër politike? Janë pyetje që qytetarët kanë të drejtë t’i bëjnë dhe që kërkojnë transparencë pasi u bë hera e dytë “që rastesisht” tek pjesa VIP e aeroportit gjendet Rama dhe Berisha njëkohësisht. Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga marrëveshje të fshehta, pazare politike apo garanci personale"- shprehet Salianji. Versus.al

Poll