Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi i përgjigjet Ramës: Për pagat vendos Kushtetuesja
Për kreun e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, çështja e pagave ndodhet në Kushtetuese dhe ajo nuk mund të negociohet në asnjë tryezë tjetër.
Duke iu përgjigjur ftesës së kryeministrit Edi Rama për t’u ulur në një tryezë për këtë çështje, Sadushi tha se ishin të hapur për të folur, por jo për të negociuar mbi Kushtetutën.
“Pikërisht për këtë çështje qëndrimi ynë duhet të jetë i qartë. Për sa kohë ligji dhe pretendimet kushtetuese të ngritura ndaj tij janë në shqyrtim përpara Gjykatës Kushtetuese, themeli juridik i kësaj mosmarrëveshjeje nuk mund të negociohet në një tryezë tjetër. Nuk mund të negociohet kuptimi i Kushtetutës, fuqia detyruese e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe as të paraprihet ajo që mund të vendoset prej saj”, tha kryetari i gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
Duke folur nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve Sadushi tha se sistemi i drejtësisë ka probleme të tjera, që duhet të marrin zgjidhje.
“Dialogu nuk duhet të mbetet vetëm te paga. Është koha t’u japim përgjigje çështjeve që përcaktojnë funksionimin e drejtësisë: sa gjyqtarë dhe prokurorë i duhen Shqipërisë, si do të plotësohen vendet vakante, si do të ulet stoku i çështjeve dhe kohëzgjatja e proceseve? Duhet të përcaktojmë çfarë administrate, teknologjie, infrastrukture dhe sigurie u duhen gjykatave dhe si do të financohen këto nevoja në mënyrë të qëndrueshme. Për këtë duhen një rend pune konkret, përgjegjësi të qarta dhe vendime të zbatueshme”, tha Sadushi.
Mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve është thirrur për të zgjedhur 3 anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke ripërtërirë qeverinë e gjyqësorit.

