
Shumë sipërmarrës në kryeqytet nxituan të marrin leje për kulla, më shumë kate që u parashikuan për hotel, për shkak të lehtësive fiskale. Të dhënat e të ardhurave të hoteleve më të mëdha të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se Tirana është një treg pothuajse i maturuar, teksa hapësira zhvillimi ka vetëm bregdeti. Operatorët kanë dyshime nëse do të ketë punë për prurjet e reja hoteliere, që po ngrihen në Tiranë. Ç’do të ndodhë me kullat që u nisën për hotele, a do të përfundojnë në zyra, apo do të mbeten bosh?!
Zhvillimi i shpejtë i turizmit gjatë viteve të fundit ka nxitur një valë të re investimesh në strukturat hoteliere përgjatë bregdetit, por Durrësi vijon të ketë peshën kryesore në këtë segment, si në numrin e njësive, ashtu edhe në modelin e turizmit të organizuar.
Zona e Durrësit, duke përfshirë Gjirin e Lalëzit dhe Golemin, së bashku me Kavajën dhe veçanërisht Qerretin, ishin ndër të parat që zhvilluan modelin e strukturave të mirëfillta hoteliere, të orientuara drejt paketave të plota turistike dhe shërbimit “all inclusive”. Ky model mori hov sidomos pas lidhjes së kontratave afatgjata me agjenci dhe operatorë të mëdhenj turistikë të huaj, të cilët sollën flukse të qëndrueshme vizitorësh gjatë sezonit veror.
Pikërisht kjo formë organizimi e dalloi Durrësin nga një pjesë e madhe e bregdetit shqiptar, ku për shumë vite, oferta turistike ishte e mbështetur kryesisht tek apartamentet me qira, bujtinat dhe strukturat e vogla familjare. Me shtimin e flukseve të organizuara, në Durrës dhe Golem u rritën komplekset me kapacitete të mëdha, restorante, pishina, hapësira argëtimi dhe shërbime të integruara brenda strukturës, duke sjellë punësim dhe zhvillim të zonës.
I njëjti koncept u përhap edhe në Shëngjin të Lezhës, ku investimet hoteliere janë rritur paralelisht me shtimin e turistëve të huaj dhe të grupeve të organizuara.
Në Jug të vendit, zhvillimi ka ndjekur një model disi të ndryshëm. Investimet janë përqendruar më shumë te fshatrat turistikë, rezidencat dhe komplekset e nivelit të lartë, sidomos përgjatë rivierës. Projekti më i madh mbetet “Green Coast”, ku dominojnë vilat, ndërsa vitet e fundit është shtuar interesi për hotele me pesë yje dhe për hyrjen e markave ndërkombëtare në menaxhimin e strukturave.
Megjithatë, ndërsa Riviera po tërheq investime gjithnjë e më të mëdha në segmentin premium, Durrësi ruan avantazhin e krijuar prej vitesh në turizmin masiv dhe të organizuar, falë kapaciteteve të mëdha akomoduese, afërsisë me Tiranën dhe aeroportin, si dhe marrëdhënieve të konsoliduara me operatorët turistikë ndërkombëtarë.
Sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, qarkullimi i 20 hoteleve më të mëdha në vend, që ndodhen në listën e 1000 kompanive më të mëdha sipas të ardhurave, në vitin 2025 ishte gati 15.4 miliardë lekë, me rritje 16% me bazë vjetore, i ndikuar në pjesën më të madhe nga zgjerimi i “Meliá”, dy hoteleve të grupit “Fafa”, “Marriot” si dhe hyrja e “Green Coast Hotel – MGallery Collection”.
Nga këto, hotelet me rezidencë në Durrës, Golem e Gjirin e Lalëzit (9 në total) qarkulluan 6.5 miliardë lekë, ose 42% të totalit, të ndjekura nga Tirana, me 7 hotele që arkëtuan së bashku gati 6 miliardë lekë, ose 39%. Vlora realizoi 11%, përmes tre hoteleve dhe Shëngjini me 8%, me një hotel.
Sipërmarrësi Behar Male, aksioner në hotelin më të madh nga të ardhurat në kryeqytet “The Plaza Tirana”, thotë se në kryeqytet, tregu i hotelerisë është tashmë i maturuar. “Që të ardhurat të rriten, duhet të shtrenjtojmë çmimet, por nëse ndodh kjo, do të na largohen klientët”.
Ai shton se vetë shqiptarët nuk janë gati të paguajnë shtrenjtë, as në Tiranë e as në bregdet, ndërsa turistët që vijnë këtu janë ata që shpenzojnë pak dhe orientohen kryesisht drejt strukturave të “Airbnb”. “Tirana nuk ka turistë të mirë, ata që vijnë duan një dhomë që të paguajnë 50-60 euro dy persona. Nga ana tjetër, as kryeqyteti nuk ka shumë se çfarë të ofrojë”.
Z. Male është skeptik nëse në këtë treg do të ketë punë për prurjet e reja hoteliere, që po ngrihen në Tiranë. “Pjesa më e madhe e tyre u nxitën për shkak të përjashtimit nga taksa e infrastrukturës dhe besoj se do të shndërrohen në zyra apo njësi të tjera”.
Ndryshe nga Tirana, bregdeti ka shumë më tepër potencial, por sipërmarrësi Male thotë se nuk kemi struktura të mirëfillta, që do të mundësonin shitjen e dhomave më shtrenjtë. “Përjashto ‘Meliá’ dhe disa hotele në Durrës, ne nuk kemi struktura hoteliere, që janë të nevojshme për të sjellë turistë me charter.
Në bregdet na duhen 50 – 60 struktura me standarde, që të jenë dhe të gjysmës së rangut të ‘Meliá’-s, që të kenë mbi 100 dhoma dhe atëherë mund të flasim për turizmin”.
Në Jug, deri tani ka mbizotëruar modeli i vilave dhe vetëm së fundi ka një orientim drejt strukturave hoteliere, ecuria e të cilave mbetet a paqartë, pas operacioneve të SPAK-ut.
Sipas një kërkimi në Booking, për qëndrim në 16-17 tetor, në “Hotel Rogner”, që reklamohet me 5 yje dhe e ka vlerësimin 9, një natë kushton 158 euro, përfshirë mëngjesin.
Çmim i ngjashëm është dhe te “Xheko Imperial Luxury Hotel & SPA”, me vlerësim 9.1. “Mak Albania”, me 5 yje, kushton 126 euro. “Tirana International”, me 4 yje, ka çmim 119 euro, ndërsa hotelet e tjera me yje luhaten midis 60-90 euro.
Më të shtrenjtët janë “Marriot” dhe “Maritim-Plaza” me rreth 180-200 euro/nata.
Çmimet e hoteleve të kategorive të larta në Tiranë mbeten ende relativisht të ulëta krahasuar me kryeqytetet dhe destinacionet kryesore europiane. Në Athinë, vetëm tarifa mesatare e të gjitha kategorive të hoteleve ishte rreth 178 euro në vitin 2025, ndërsa në Romë, rreth 190 euro, sipas njësive që japin të dhëna për struktura hoteliere.
Në Milano, një nga tregjet më të shtrenjta të hotelerisë europiane, çmimet në segmentin me 4 dhe 5 yje janë shumëfish më të larta, ku vetëm hotelet me 4 yje kanë një mesatare 200-250 euro nata.
P.sh., “Tirana Marriott”, i klasifikuar me 5 yje, ofron dhoma mesatarisht rreth 200 euro nata. Në Milano, “Milan Marriott Hotel”, i klasifikuar me 4 yje, për një qëndrim më 17–18 tetor kushton rreth 250 euro/nata dhe është 2.7 km larg nga qendra.
Në kontrast, hotel “Meliá” në Gjirin e Lalëzit, që përmendet nga të gjithë si modeli më i mirë i turizmit në vend, edhe në tetor shet dhoma me 200 euro/nata, në paketa minimumi 3 ditë, përfshirë mëngjesin e darkën. Në shtator, kjo paketë i kalon 1000-1400 euro.
“Airbnb”, një treg paralel që konkurron fort hotelet
Kthimi i Shqipërisë në një destinacion turistik bëri që shumë persona të jepnin shtëpitë me qira afatshkurtër, duke konkurruar hotelet, por edhe duke joshur shumë të huaj për shkak të çmimeve të lira ditore në krahasim me vendet e tjera të Europës.
Të dhënat e “AirDNA”, njësia analitike e platformës së qiradhënies “Airbnb”, të bëra të disponueshme për “Monitor”, tregojnë se në gjithë vendin, mesatarisht në vitin 2025, jepeshin me qira 26.3 mijë apartamente përmes platformës së qiradhënies, nga vetëm 6 mijë në vitin 2021. Monitor.al

