NGA FLUTURA TOTA
Barazia gjinore në politikë është vlerësuar ndër shekuj nga filozofët antik deri tek ata bashkëkohor. Njëri prej tyre ishte Platoni, i cili argumentonte për rëndësinë e barazisë gjinore në politikë. Në veprën e tij “Republika“, sugjeronte se gratë duhet të kenë mundësinë të jenë udhëheqëse, nëse kanë aftësitë e nevojshme, pasi drejtësia kërkon që secili të japë kontributin e tij në shoqëri bazuar në talentin dhe jo në gjininë.
Ndërkohë, që pjesëmarrja e grave dhe vajzave në politikë është element themelor i demokracisë dhe i qeverisjes së mirë, ato vazhdojnë të hasin pengesa të shumta, duke e kufizuar angazhimin e tyre politik.
Një ndër pengesat më serioze është dhuna me bazë gjinore, e cila përfshin çdo lloj akti dhune si kërcënimi, ngacmimi ose diskriminimi i ushtruar ndaj grave për shkak të gjinisë së tyre me synim pengimin ose kufizimin e pjesëmarrjes së tyre në jetën politike.
Akte që shprehen në forma të ndryshme nëpërmjet sulmeve verbale, fushatave të shpifjeve, gjuhës së urrejtjes, ngacmimeve seksuale, kërcënimeve fizike, dhunës psikologjike dhe sulmeve në rrjetet sociale. Ndërsa në raste të caktuara ajo mund të përshkallëzohet në agresion fizik ose kërcënime ndaj familjarëve, duke krijuar një klimë frike dhe pasigurie.
Për shkak të këtyre problematika, shumë vajza dhe gra as që tentojnë të kandidojnë për poste publike, përkundrazi ato tërhiqen nga aktivitetet politike ose e kufizojnë praninë e tyre në debatet publike.
Kjo çon në nën-përfaqësimin e grave në institucionet vendimmarrëse, duke dobësuar cilësinë e demokracisë, pasi perspektivat dhe interesat e një pjese të madhe të shoqërisë mbeten të papërfaqësuara.
****
Hume Elezaj është një nga gratë këshilltare të bashkisë së Kukësit.
E angazhuar prej vitesh jo vetëm në politikë, por edhe në iniciativa në dobi të komunitetit, Elezaj rrëfen se rrugëtimi politik nuk ka qenë i lehtë ndërsa pengesat e angazhimit të grave e vajzave të tjera në politikë dhe vendimmarje është i vështirë. Shkaqet sipas saj janë të shumta.
“Në Bashkinë Kukës, vajzat dhe gratë hasin vështirësi ose pengesa për përfshirjen e tyre në politikë. Edhe pse është bërë përparim vitet e fundit dhe ka më shumë gra e vajza të përfshira në vendimmarrje, ende ekzistojnë pengesa. Mentaliteti tradicional, stereotipet gjinore, përgjegjësitë familjare dhe mungesa e mbështetjes politike e bëjnë më të vështirë për vajzat dhe gratë të angazhohen dhe të marrin role drejtuese. Megjithatë, gjithnjë e më shumë gratë po dëshmojnë se me përkushtim dhe mbështetje mund të japin një kontribut të rëndësishëm në politikën lokale” thekson Elezaj.
E pyetur nëse gjatë eksperiencës së saj ndër vite a ka hasur apo evidentuar dhunë me bazë gjinore, Elezaj konfirmon madje rendit edhe llojet e dhunës me bazë gjinore.
“Po. Gjatë punës sime ndër vite kam hasur raste të dhunës me bazë gjinore, si dhunë psikologjike, ekonomike dhe emocionale. Shumë raste mbeten të paraportuara për shkak të frikës, varësisë ekonomike ose paragjykimeve shoqërore. Prandaj është shumë e rëndësishme të forcohen mekanizmat e mbështetjes, si dhe ndërgjegjësimi dhe bashkëpunimi midis institucioneve” deklaron ajo.
Sa i përket mundësisë për hapa përpara, që klima e dhunës me bazë gjinore të ndryshojë, për Elezajn ka dritë në fund të tunelit.
“Po, besoj se po, mund të ndryshojë, por kjo kërkon angazhim të vazhdueshëm. Edukimi dhe ndërgjegjësimi mbeten kryesorja, zbatimi me përpikmëri i ligjit, fuqizimi ekonomik i grave e vajzave përmes punësimit, si dhe bashkëpunim i institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit janë faktorë kyç. Ndryshimi nuk mund të ndodh menjëherë, por me punë të përbashkët mund të krijojmë një shoqëri më të sigurt dhe më të barabartë për gratë dhe vajzat”.
Lufta kundër dhunës politike me bazë gjinore nuk është vetëm një çështje e të drejtave të grave; ajo është një kusht për zgjedhje të lira e të ndershme dhe për një demokraci më përfaqësuese, gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme.
Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, gratë zënë rreth 35% të vendeve në Kuvend (49 nga 140 deputetë), një nivel që e vendos Shqipërinë mbi mesataren e shumë vendeve të rajonit.
Megjithatë, shifrat nuk tregojnë të gjithë historinë. Përfaqësimi cilësor mbetet sfida kryesore. Gratë ende janë të nën-përfaqësuara në pozicionet më të larta të drejtimit politik dhe në nivelin vendor. Në zgjedhjet vendore të vitit 2023, vetëm 13.1% e kryetarëve të bashkive të zgjedhur ishin gra, çka tregon se hendeku në lidership mbetet i madh.
Po ashtu, gratë vazhdojnë të përballen me stereotipe gjinore, akses më të kufizuar në financimin e fushatave, ekspozim më të madh ndaj gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve në rrjetet sociale, si edhe me forma të ndryshme të dhunës politike me bazë gjinore. Këto faktorë ndikojnë jo vetëm në hyrjen e tyre në politikë, por edhe në aftësinë për të ushtruar mandatin në mënyrë të pavarur dhe me ndikim.
Për këto problematika, është realizuar edhe raporti “Narrativa Mediatike, Vizibiliteti, Pabarazia dhe Dhuna me Bazë Gjinore në Politikë” gjatë zgjedhjeve të vitit 2025, i realizuar nga Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje, BIRN dhe UN Women Albania, mbi atë se, çfarë i pengon gratë të udhëheqin në politikë, ku është faktuar se, pengesat janë të shumta.
Është evidentuar, se gratë në politikë përballen me pengesa të ndryshme, të cilat shpesh ndërthuren me njëra-tjetrën. Ndër më kryesoret janë: pengesat financiare, ndarja e pabarabartë e pushtetit brenda partive, dhuna dhe ngacmimi politik, sulmet në media dhe rrjete sociale, pabarazia në aksesin mediatik, pengesat institucionale dhe ligjore, presioni mbi jetën private. Jo vetëm kaq, por gratë dhe vajzat mund të përballen edhe me problematika të ndryshme, pasi prezantohen në media apo janë aktive në televizione, gazeta apo edhe platforma online. Kur gratë dalin në media, veçanërisht kur janë politikane, aktiviste, gazetare ose figura publike, dhuna me bazë gjinore mund të shfaqet në disa forma:
● Dhuna verbale, fyerje, sharje, poshtërime, komente seksiste dhe gjuhë denigruese.
● Dhuna psikologjike, kërcënime, intimidim, presion, frikësim dhe përpjekje për t’i heshtur ose diskredituar.
● Dhuna seksiste dhe seksuale, seksualizimi i grave, komente për trupin dhe pamjen, ngacmime seksuale ose kërcënime me përmbajtje seksuale.
● Dhuna online, sulme në rrjete sociale, mesazhe kërcënuese, cyberbullying, përndjekje virtuale, profile false dhe fushata të koordinuara denigruese.
● Dhuna ekonomike, kufizimi ose mohimi i burimeve financiare për pjesëmarrjen dhe aktivitetin publik, kur kjo lidhet me diskriminimin gjinor.
● Dhuna me fokus identitetin, përhapja e shpifjeve, informacionit të pavërtetë ose materialeve private me qëllim dëmtimin e reputacionit.
● Dhuna simbolike, paraqitja e gruas përmes stereotipeve, për shembull duke e vlerësuar kryesisht për pamjen, familjen ose jetën private dhe jo për punën e saj.
● Përjashtimi dhe heshtja, minimizimi i zërit të grave, ndërprerja sistematike, mosdhënia e hapësirës ose trajtimi i kontributit të tyre si më pak i rëndësishëm.
Sa i përket aksesit të kufizuar në financimin e fushatave për gratë dhe vajzat, në një dokument politikash për Financimin Publik dhe pushtetin financiar, të realizuar nga Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje”, mbi barazinë gjinore në financimin politik në Shqipëri është dal në përfundimin, se arritja e barazisë gjinore në pjesëmarrjen politike mbetet objektiv qendror i qeverisjes demokratike dhe angazhim thelbësor në të gjitha kornizat e politikave evropiane dhe ndërkombëtare.
Mungesa ose mohimi i qëllimshëm i financimit politik për gratë mund të lidhet me dhunën ndaj grave në politikë dhe ajo mund të jetë një pengesë strukturore, diskriminim ose pabarazi në aksesin ndaj burimeve.
Kur financimi mohohet, kufizohet ose përdoret në mënyrë të qëllimshme për ta penguar një grua të kandidojë, të bëjë fushatë ose të qëndrojë aktive në politikë, atëherë mund të marrë karakterin e dhunës ekonomike në politikë ose të dhunës me bazë gjinore në politikë. Kufizimi i burimeve financiare konsiderohet si ndër pengesat që kufizojnë pjesëmarrjen politike të grave. Mungesa ose kufizimi i qëllimshëm i financimit politik për gratë dhe vajzat mund lidhet me dhunën politike me bazë gjinore kur përdoret për t’i penguar, frikësuar, kontrolluar ose përjashtuar nga pjesëmarrja politike për shkak të gjinisë.
Nëse grave u mohohen sistematikisht burimet financiare që u jepen burrave në pozita të ngjashme, kjo mund të krijojë një pengesë strukturore ndaj pjesëmarrjes së tyre. Ndaj kërkohen masa për alokime të gjurmueshme, raportim të ndara sipas gjinisë ose mbikëqyrje të jashtme që sfidojnë drejtpërdrejt sistemet e brendshme të kontrollit që tradicionalisht kanë funksionuar me shqyrtim të kufizuar publik dhe nivele të larta diskrecioni të lidershipit.
Vendosja e kuotave gjinore dhe legjislacionit për barazinë ka kontribuar në përparim të matshëm, veçanërisht në aspektin e pranisë numerike të grave në organet e zgjedhura si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë lokal. Megjithatë, pavarësisht këtyre përparimeve, mbetet një hendek i vazhdueshëm midis përfaqësimit formal dhe pjesëmarrjes substanciale.
Gerta Meta, eksperte e çështjeve zgjedhore thotë se Dhuna me Bazë Gjinore, veçanërisht ajo politike, është një nga pengesat kryesore që kufizon pjesëmarrjen e grave në jetën publike dhe në proceset zgjedhore.
“Kur gratë dhe vajzat përballen me forma të ndryshme dhune, shumë prej tyre heqin dorë nga kandidimi, kufizojnë angazhimin publik ose vetëcensurohen. Si pasojë, humbet jo vetëm përfaqësimi i grave, por edhe mundësia që politika të përfitojë nga perspektivat dhe përvojat e tyre” shprehet Meta.
Për të, reformat e Shqipërisë 2027 do të jenë të qëndrueshme vetëm nëse ndërtohen mbi dialogun me komunitetin, fuqizimin e qeverisjes vendore, pjesëmarrjen e barabartë të grave e vajzave dhe institucione që japin llogari para qytetarëve.
E pyetur nëse e dobëson një fakt i tillë nivelin e demokracisë, ajo thotë: “Absolutisht. Nëse gratë pengohen të konkurojnë apo të ushtrojnë aktivitetin e tyre politik për shkak të dhunës, atëherë cënohet barazia e mundësive dhe cilësia e përfaqësimit” deklaron Meta.
E pyetur nëse duhet forcuar kuadri ligjor kundër dhunës me bazë gjinore, jep këtë përgjigjie: “Sigurisht. Kuadri ligjor dhe institucional duhet të zhvillohet më tej për të njohur dhe adresuar në mënyrë të qartë dhunën politike me bazë gjinore”.
Enver Bytyçi, Profesor, Doktor në Shkencat Politike thotë se, stereotipet gjinore ndikojnë në mënyrën se si perceptohen gratë politikane dhe se shoqëria ndikohet prej tyre.
“Mendoj se gradualisht po shkojmë drejt asaj që stereotipet të tejkalohen. Megjithatë ka sërishmi shumë problematika. Dhe në këtë aspekt shoh se stereotipi kryesor i përceptimit të gruas në politikë është modeli krahasues me perfeksionin. Nëse për burrat nuk ka paragjykime në raport me modelin perfeksionist, për gruan kjo shihet gati si fenomen. Nëse një grua në politikë gabon ose thotë diçka të papëlqyeshme, ajo paragjykohet dhe madje gjykohet për këtë, bazuar në stereotipin se “ajo është grua dhe nuk duhej ta bënte ose ta thoshte“! Ndërkohë që për burrat është i përhapur mendimi se atyre “u lejohet gjithçka“! Ky lloj stereotipi, besoj se ndikon shumë në përceptimin, vlerësimin dhe gjykimin e punës, fjalës dhe veprimeve të grave në politikë“.
I pyetur se si mund të inkurajohen më shumë vajza dhe gra të angazhohen në politikë, Profesor Bytyçi thotë se, duhen motivuar me një mbështetje më të mirë të liderëve politikë.
“Gratë dhe vajzat në politikë vijnë përmes partive politike. Sa më i emancipuar të jetë lidershipi i një partie politike, aq më shumë krijohen premisa për inkurajimin dhe motivimin e tyre në politikë. Nga ana tjetër motivimi i grave dhe vajzave në politikë vjen përmes vlerësimit të aftësive dhe kontributeve që atë kanë. Një grua e vlerësuar gjithmonë gjen mundësi për ta konkretizuar punën e saj në politikë. Një grua e respektuar për aftësitë e saj ndikon që të motivohen shumë gra për t’u marrë me politikë”
******
Disa të dhëna konkrete për përfaqësimin e grave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri:
Të dhënat më të fundit të Inter-Parliamentary Union tregojnë se, aktualisht gratë përbëjnë 48 nga 140 deputetë (34.3%), për shkak të ndryshimeve të mëvonshme në përbërjen e Kuvendit.
Në zgjedhjet vendore të vitit 2023, vetëm 10.4% e kandidatëve për kryetar bashkie ishin gra dhe 13.1% e kryetarëve të zgjedhur ishin gra, çka tregon se sfidat mbeten më të mëdha në nivel lokal.
Dhuna me bazë gjinore nuk prek vetëm individin, por kufizon pjesëmarrjen e barabartë në politikë dhe dëmton proceset demokratike. Parandalimi i saj, mekanizmat efektivë të raportimit dhe ndëshkimi i autorëve janë thelbësorë për krijimin e një mjedisi politik të sigurt dhe gjithëpërfshirës.


