Skema e kredive të strehimit me 0% interes për punonjësit e administratës publike ka tërhequr një numër shumë më të madh aplikantësh sesa kuotat e miratuara. Pas mbylljes së aplikimeve, janë evidentuar 2 164 kërkesa për 300 kredi të reja për blerje banese, çka përfaqëson rreth shtatëfishin e numrit të përfituesve të planifikuar.
Ministria e Shëndetësisë kryeson listën e institucioneve me më shumë aplikime. Nga punonjësit e saj janë dorëzuar 782 kërkesa, ndërsa kuota e përcaktuar për këtë ministri është 70 kredi. Më pas renditet Ministria e Punëve të Brendshme, me 448 aplikime për 70 kuota, e ndjekur nga Ministria e Arsimit, e cila ka marrë 444 aplikime për të njëjtin numër kredish.
Të lidhura
None found
Kërkesat e regjistruara në rang kombëtar janë rreth shtatë herë më të larta se numri i kredive të disponueshme, duke e bërë konkurrencën për përfitim veçanërisht të lartë.
Në kuadër të thirrjes janë vënë në dispozicion 300 kredi pa interes, të destinuara për financimin e blerjes së një banese. Shuma e financimit llogaritet mbi bazën e çmimit të referencës, ndërsa madhësia e banesës përcaktohet në varësi të numrit të anëtarëve të familjes, sipas certifikatës familjare.
Skema u drejtohet personave të punësuar në administratën publike, të cilët duhet të përmbushin kushtet e parashikuara në legjislacionin për strehimin social.
Mes kritereve kryesore janë të mos pasurit e një banese në pronësi ose të pasurit e një banese që nuk plotëson normat e strehimit, kufizimet lidhur me pasuritë në pronësi dhe fakti që aplikanti të mos ketë përfituar më herët nga programe të tjera të strehimit social.
