74 paraqitje, një tjetër rekord për Gjimshitin! Lë pas dy emra të mëdhenj

Berat Gjimshiti ka përjetuar një tjetër mbrëmje të veçantë me fanellën e Kombëtares shqiptare mbrëmë.
Kapiteni i kuqezinjve ishte titullar ndaj Bjellorusisë, duke regjistruar paraqitjen e 74-të me Shqipërinë.
Me këtë ndeshje, mbrojtësi 33-vjeçar ngjitet në vendin e tetë në listën e futbollistëve me më shumë paraqitje në historinë e Kombëtares.
Njëkohësisht, Gjimshiti ka lënë pas dy ish-kapitenë të Shqipërisë: Foto Strakoshën dhe Ansi Agollin, duke vazhduar ngjitjen e tij në renditjen e legjendave kuqezi.
Për Gjimshitin, kjo është një tjetër dëshmi e rëndësisë që ka fituar ndër vite te Kombëtarja.
I kthyer në një prej liderëve kryesorë të skuadrës, ai vazhdon të jetë një nga figurat më të rëndësishme të mbrojtjes.
Me 74 paraqitje, kapiteni kuqezi tashmë ka hyrë në një listë ku bëjnë pjesë emrat më të spikatur të historisë së futbollit shqiptar.




