Qëndistaria, zanat drejt humbjes, tradita e veçantë ruhet në Gjirokastër vetëm nga pak gra
Prej më shumë se 35 vitesh, mjeshtria e qëndisjes Vjollca Mezini vazhdon të punojë plot pasion qëndisma tradicionale, dantella dhe punime të ndryshme në tekstil. Me këtë zanat të traditës gjirokastrite, Vjollcën e lidh trashëgimia familjare, si dhe dëshira për të realizuar punime dore në qëndisje karakteristike.
Në fillim të viteve ’90, qëndismat e punuara plot mjeshtri dhe finesë nga Vjollca nisën të kalonin kufijtë e vendit, ndërsa regjistroi kërkesat e para nga Greqia dhe Italia. Falë mundit dhe punës, çeli një qendër të punimit të qëndisjeve karakteristike në mjediset e Pazarit të Gurtë të Gjirokastrës.
Megjithëse të realizosh punime në qëndisje ka lodhjen e vet, sërish për Vjollcën kjo mjeshtëri është një lloj arti, që bën të mundur të nxjerrësh nga duart qëndisje karakteristike me vlera të veçanta.
Tashmë, punimet karakteristike të realizuara prej qëndistares gjirokastrite tërheqin vëmendjen dhe interesimin e turistëve, ndërsa qendra e artizanatit mirëpret vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj. Mes të tjerash, Vjollca merr vlerësime të shumta për punimet e realizuara, ndërsa çentrot, dantellat e punuara prej duarve të saj zbukurojnë shtëpitë dhe mjediset e punës edhe jashtë vendit.
Me trishtim, Vjollca shprehet se zanati i qëndisjes tradicionale nuk preferohet nga vajzat e reja, ndërsa kjo traditë e vyer e Gjirokastrës rrezikon të zbehet me kalimin e viteve.
Zanati i qëndisjes karakteristike është një prej mjeshtërive tradicionale me vlera të veçanta për qytetin e Gjirokastrës.
/vizionplus.tv




