Bota

Trump për arrestimet pranë RAF në Britaninë e Madhe: “Zhvillim fantastik”, po planifikonin të shkaktonin dëm të madh

Presidenti amerikan Donald Trump ka mirëpritur arrestimin e pesë burrave në Britani, të dyshuar për përgatitjen e një sulmi terrorist pranë bazës ajrore RAF Fairford, duke e cilësuar operacionin si një zhvillim “fantastik”.

Duke folur për disa minuta me gazetarët në Illinois, Trump përshëndeti operacionin e autoriteteve britanike dhe pretendoi se personat e arrestuar “po planifikonin të shkaktonin dëm të madh”.

Trump tha se bashkëpunimi mes Uashingtonit dhe Londrës “funksionoi shkëlqyeshëm”, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi rolin e agjencive amerikane në këtë rast.

“Ne i kemi ndjekur ata për një kohë të gjatë dhe më në fund i kapëm”, tha presidenti amerikan.

Sipas një deklarate të policisë, ngjarja nisi rreth orës 00:45 të së dielës, kur autoritetet morën një telefonatë për tre automjete të dyshimta që po lëviznin në drejtim të RAF Fairford.

Policia e armatosur mbërriti në zonë dhe arrestoi pesë burra, të cilët dyshohen për përgatitjen e një akti terrorist.

Rreth automjeteve të dyshimta është vendosur një perimetër sigurie prej 400 metrash, ndërsa një njësi speciale e ushtrisë britanike për asgjësimin e eksplozivëve po i kontrollon ato.

Policia e ka cilësuar rastin si një “incident të madh”, ndërsa ka theksuar se beson se situata është nën kontroll.

Si masë paraprake, 85 banesa janë evakuuar.