Bota

Rusia rrit taksat për konsumatorët, Kremlini kërkon më shumë financime për luftën në Ukrainë

Qeveria ruse ka vendosur të rrisë taksat për konsumatorët, në një përpjekje për të siguruar më shumë të ardhura për financimin e luftës në Ukrainë. Masa vjen në një kohë kur deficiti buxhetor i Rusisë është rritur ndjeshëm dhe rezervat financiare po pakësohen.

Sipas të dhënave zyrtare të institucioneve ruse, deficiti i buxhetit federal arriti në mbi 60 miliardë euro në gjysmën e parë të vitit. Deri në fund të korrikut, ai kishte arritur në 2.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, thuajse dyfishi i nivelit të planifikuar.

Në të njëjtën kohë, fondet në rezervën financiare të Rusisë kanë rënë në 1.6% të PBB-së, duke e detyruar Kremlinin të marrë hua nga bankat vendase.

Rritja ekonomike është ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me nivelet e regjistruara në vitet 2023-2024, kur ajo kishte arritur në mbi 4% në bazë vjetore.

Sipas parashikimeve të qeverisë ruse, ekonomia pritet të rritet me vetëm 0.6% këtë vit. Ekonomia u tkurr në tremujorin e parë, ndërsa në tremujorin e dytë pritet një rikuperim modest.

Analistët e lidhin thellimin e deficitit kryesisht me rritjen e ndjeshme të shpenzimeve qeveritare, përfshirë fondet për luftën dhe financimin e tenderëve shtetërorë. Në të njëjtën kohë, të ardhurat janë ndikuar negativisht nga sanksionet ndërkombëtare.

Në gjendjen financiare të vendit kanë ndikuar edhe sulmet ukrainase me rreze të gjatë veprimi ndaj objektivave strategjikë në Rusi, përfshirë rafineritë dhe depot e naftës. Kremlini ka rritur gjithashtu shpenzimet për t’iu kundërpërgjigjur këtyre sulmeve.

Për momentin, niveli i ulët i papunësisë dhe pagat e larta në sektorin shtetëror, veçanërisht në rajonet më të varfra, po ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të pakënaqësisë së konsumatorëve.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se problemet afatgjata po ushtrojnë presion mbi ekonominë ruse dhe mund të çojnë në një krizë nëse vazhdojnë të thellohen.

Drafti i propozuar nga Kremlini përcakton se “prioriteti strategjik i buxhetit është mbështetja financiare për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare”, duke theksuar se kjo kërkon mbështetje financiare si për pjesëmarrësit në “operacionin special”, ashtu edhe për familjet e tyre.