Nëntë persona janë arrestuar në Zubin-Potok, të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë. Operacioni është zhvilluar në orët e para të mëngjesit dhe është koduar nga Policia e Kosovës si “Dosja 23”.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, arrestimet janë kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me njësitë e tjera të specializuara, me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Nëntë të arrestuarit dyshohen për përfshirje në veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Operacioni lidhet me rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve të Mitrovicës”, një prej dosjeve të krimeve të luftës që lidhet me personat e zhdukur gjatë vitit 1999.
Në fund të korrikut, në Kalludër dhe Jabukë nisën gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore. Procesi përfundoi më 21 gusht, ndërsa u gjetën mbetje mortore që dyshohet se u përkasin 23 personave.
“Grupi i Intelektualëve të Mitrovicës” përbëhej nga 23 persona, të cilët rezultojnë të zhdukur që prej prillit të vitit 1999.
Mes tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profesionistë të tjerë. Tashmë, pas gjetjes së mbetjeve mortore, hetimet janë shtrirë edhe tek personat e dyshuar për përfshirjen në vrasjen dhe zhdukjen e tyre.
Nëntë arrestimet e kryera në Zubin-Potok janë pjesë e hetimeve të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti të krimeve të luftës.













