Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar pas ndalimit të pesë personave në Britani, të cilët dyshohen se po përgatitnin një akt terrorist pranë bazës ajrore RAF Fairford. Ai e cilësoi operacionin e autoriteteve britanike si një zhvillim “fantastik”.
Gjatë një prononcimi për gazetarët në Illinois, Trump deklaroi se të dyshuarit synonin të shkaktonin “dëm të madh”. Ai gjithashtu vlerësoi bashkëpunimin mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Të lidhura
None found
“Ne i kemi ndjekur për një kohë të gjatë dhe më në fund i kapëm”, u shpreh Trump, pa dhënë të dhëna të tjera për përfshirjen e mundshme të agjencive amerikane në operacion.
Sipas autoriteteve policore britanike, ngjarja u raportua rreth orës 00:45 të mëngjesit të së dielës, pas një telefonate që sinjalizonte praninë e tre automjeteve të dyshimta në lëvizje drejt RAF Fairford.
Forcat e armatosura të policisë shkuan në vendngjarje dhe arrestuan pesë burra, të dyshuar për përgatitjen e një akti terrorist.
Pranë automjeteve u krijua një zonë sigurie me rreze 400 metrash. Ndërkohë, një ekip i specializuar i ushtrisë britanike për neutralizimin e lëndëve shpërthyese po kryen kontrolle në zonë.
Policia e ka përshkruar situatën si një “incident të madh”, ndërsa ka bërë të ditur se gjendja mendohet të jetë nën kontroll.
Si masë sigurie, autoritetet larguan nga banesat 85 familje në zonën përreth. Hetimet për rrethanat e arrestimeve vijojnë.
