
Një incident ka ndërprerë fjalimin e kryeministrit hungarez Péter Magyar gjatë një aktiviteti elektoral në qytetin e Szolnok, ku një burrë nga turma tentoi ta godiste me vezë.
Ngjarja ndodhi më 26 shtator, teksa Magyar po mbante fjalim në kuadër të turit të tij nëpër Hungari. Veza u hodh nga turma në drejtim të skenës, por nuk e goditi kryeministrin dhe përfundoi mes njerëzve të pranishëm.
Pas incidentit, autori u ndalua nga persona me rroba civile. I dyshuari rezistoi për një moment para se të shtrihej në tokë. Kur gazetarët e pyetën se pse kishte tentuar ta godiste Magyarin, burri u përgjigj: “Më vjen keq që nuk e godita në kokë”.
⚡️ An egg was thrown at Hungarian Prime Minister Péter Magyar during a speech in Szolnok
— NEXTA (@nexta_tv) September 27, 2026
The egg missed him. After the incident, Magyar joked that eggs are expensive these days and asked people not to do it again. The man who threw the egg was detained by plainclothes police… pic.twitter.com/Lz9vZTqsWX
Më vonë, policia e mori në pyetje dhe e liroi 51-vjeçarin, duke e trajtuar rastin si shkelje të rendit dhe prishje të qetësisë publike. Ky nuk është incidenti i parë ndaj Magyarit gjatë turit të tij politik. Vetëm një javë më parë, gjatë Festivalit të Vjeljes në Szekszárd, një burrë i hodhi verë politikanit ndërsa ai ndodhej pranë një stende.
Magyar u bëri thirrje mbështetësve të tij të mos përshkallëzonin situatën. Në fjalimin e tij në Szolnok, ai tha se njerëzit nuk duhet të përballen me njëri-tjetrin si kundërshtarë, pavarësisht dallimeve politike.
Incidenti ndodhi në një periudhë të tensionuar të politikës hungareze, ndërsa Magyar dhe qeveria e tij përballen me debate të forta për politikat ekonomike, energjetike dhe marrëdhëniet me Ukrainën.
Në Szolnok, Magyar deklaroi gjithashtu se nën qeverinë e tij nuk do të ndërtohet një fabrikë elektroliti në qytet, ndërsa aktiviteti u shoqërua edhe me protesta të vogla nga kundërshtarët e industrisë së baterive. ©LAPSI.al