Vendi
Aksident fatal në Cërrik, motori përplaset me shtyllën, humb jetën 21-vjeçari

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në lagjen nr. 3 të Cërrikut, ku një 21-vjeçar ka humbur jetën pasi motomjeti me të cilin udhëtonte është përplasur me një shtyllë.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, shtetasi O. M., 21 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit, duke shkaktuar përplasjen. Si pasojë e plagëve të marra, i riu ka humbur jetën në vendngjarje.
Në motomjet ndodhej edhe një pasagjer, shtetasi D. C., 17 vjeç, i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas Policisë, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për të përcaktuar rrethanat e plota dhe shkakun e aksidentit.




