Aleksandar Vuçiç mbajti mbrëmjen e sotme fjalimin e tij të fundit si president i Serbisë, duke iu drejtuar qytetarëve të mbledhur para ndërtesës së Presidencës në rrugën “Andricev Venac” në Beograd, në prag të dorëheqjes së tij nga posti i kreut të shtetit.
Në fjalën e tij të fundit në këtë detyrë, Vuçiç falënderoi qytetarët për mbështetjen e dhënë gjatë viteve të presidencës, ndërsa u ndal te momentet që sipas tij kanë qenë ndër më të vështirat për Serbinë dhe për të personalisht.
“Me mirënjohje të madhe, jo vetëm për dy fitoret madhështore në vitin 2017 dhe 2022 në raundin e parë të zgjedhjeve me një diferencë të madhe, por mbi të gjitha, faleminderit që gjithmonë keni qëndruar pranë vendit tuaj”, u shpreh Vuçiç.
Ai kujtoi periudhën e pandemisë së COVID-19, luftën në Ukrainë dhe konfliktet e tjera ndërkombëtare, duke theksuar se Serbia, sipas tij, ka arritur gjatë këtyre viteve të ruajë paqen dhe stabilitetin.
“Ne gjithmonë kemi arritur të ruajmë paqen, të ruajmë stabilitetin e vendit tonë. Ne gjithmonë kemi arritur të dalim më të fortë, të forcojmë ekonominë tonë çdo vit”, tha presidenti serb.
Vuçiç foli gjithashtu për atë që e cilësoi si përpjekje për të dëmtuar Serbinë dhe për të fshirë rezultatet e arritura gjatë viteve të fundit, ndërsa falënderoi mbështetësit e tij për qëndrimin në krah të vendit.
“Faleminderit pafundësisht juve, popullit të guximshëm të Serbisë, që iu kundërvu kësaj dhe që thatë: ‘Jo, nuk do të heqim dorë nga atdheu ynë, jo, nuk do të heqim dorë nga Serbia jonë’”, deklaroi ai.
Në fund të fjalës së tij, Vuçiç theksoi se nuk do ta harrojë mbështetjen e qytetarëve gjatë periudhave që ai i përshkroi si veçanërisht të vështira.
“Nuk do ta harroj kurrë sa e vështirë ishte, sa forcë dhe guxim ju është dashur të tregoni në ato momente të vështira”, u shpreh ai.
Fjalimi i mbrëmjes së sotme shënon kështu daljen e fundit të Vuçiç në cilësinë e presidentit të Serbisë, ndërsa dorëheqja e tij shënon fundin e periudhës së tij në krye të shtetit.
