Autoritetet amerikane kanë arrestuar një shtetas shqiptar 56-vjeçar në Connecticut, në kuadër të operacioneve të emigracionit.
Sipas mediave të huaja, Hasan Billa, banues në Wolcott, u arrestua më 3 shtator. Ai ndodhej në mënyrë të paligjshme në SHBA dhe përballet me akuza të hapura në nivel shtetëror për tentativë sulmi seksual dhe abuzimi seksual të një të mituri.
Sipas policisë, Billa dhe dy persona të tjerë u arrestuan pas një operacioni ku një detektiv u paraqit online si një vajzë 15-vjeçare. Të tre kishin udhëtuar drejt një vendi të përcaktuar në Hartford, me bindjen se do të takonin një të mitur për marrëdhënie seksuale.
Të tre u arrestuan pa incidente dhe ndaj tyre ishte vendosur një garanci fillestare prej 500 mijë dollarësh.
Arrestimi i Billës u bë publik nga ICE më 25 shtator, ndërsa deri tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi procedurat e emigracionit apo dëbimit të tij.












