Sezoni turistik, Gonxhja: 9.5 milionë vizitorë të huaj në 8 muaj, protestat nuk na ndihmuan
Sezoni turistik i këtij viti ka shënuar rritje të numrit të vizitorëve të huaj, ndërsa ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e konsideron ecurinë të kënaqshme. Në 8-mujorin e parë të vitit janë regjistruar rreth 9.5 milionë vizitorë të huaj, rreth 500 mijë më shumë se një vit më parë.
Gonxhja tha në një intervistë për emisionin “E-ZONE” se rritja është 5.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke theksuar se shifra duhet parë edhe në raport me kapacitetet që ka vendi.
“Nëse do të shohim numrat, natyrisht që jemi jo vetëm ende optimistë për një vit më të mirë sesa viti i kaluar, por jemi edhe në mënyrë faktike të kënaqur, sepse kemi një gjysmë milioni më shumë vizitorë të huaj në 8-mujorin e parë dhe kemi diku tek 9.5 milionë vizitorë të huaj. Me vizitorë të huaj nënkuptojmë të gjithë ata që kanë pasaporta të huaja. Natyrisht që aty ka edhe diasporë, ka edhe turistë të mirëfilltë, si dhe njerëz të cilët tranzitojnë Shqipërinë dhe rrinë pak ditë ose kalojnë në Shqipëri”, tha ministri.
Sipas tij, rritja prej 5.3% është një shifër e konsiderueshme, pasi Shqipëria nuk mund të vijojë të rrisë pafundësisht numrin e turistëve pa marrë parasysh kapacitetet e transportit dhe infrastrukturës.
“Një rritje prej 5.3% më shumë se viti i kaluar është një shifër jo e vogël. Nuk mund të vijojmë të rritemi pafundësisht me miliona e miliona turistë në të njëjtat rrugë, në të njëjtin sistem transporti dhe në të njëjtën infrastrukturë”, u shpreh Gonxhja.
Ministri pranoi se ky sezon kishte një element që ndikoi në perceptimin për turizmin, duke iu referuar protestave të zhvilluara në fillim të qershorit. Sipas tij, situata ndikoi në ecurinë e sezonit, veçanërisht sa i takon perceptimit për Shqipërinë si destinacion.
“Patëm një vit i cili ishte pak më ndryshe nga pikëpamja e perceptimit, sepse patëm një situatë protestash në fillim të qershorit që natyrisht ndikoi, por më pas erdhi drejt stabilizimit. Në këtë aspekt, situata e sivjetshme sa i takon protestave nuk na ndihmoi. Mendoj se rritja do të ishte edhe më e madhe se 5.3% nëse nuk do të kishim këtë situatë me protestat”, deklaroi ai.
Megjithatë, Gonxhja tha se sezoni po vijon me ecuri pozitive edhe gjatë shtatorit, duke veçuar disa prej zonave kryesore turistike.
/vizionplus.tv




