Lajmi i fundit

LIVE - ‘Rama jepe dorëheqjen’, protesta e 120-të, qytetarët nisin marshimin në rrugët e Tiranës

SYRI TV/ Abuzimet me konçensionet PPP, gati gjysma e pagesave nën hetim

20:37, 27/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

98 miliardë lekë janë paguar nga buxheti i shtetit për 12 kontrata koncesionare në periudhën 2017–2025. Shifra përfshin koncesione në shëndetësi, infrastrukturë dhe menaxhimin e mbetjeve. Pagesat më të larta janë kryer për Rrugën e Arbrit, sterilizimin, skanimin dhe inceneratorin e Tiranës. Ndërkohë, gjashtë prej këtyre kontratave janë përfshirë në hetime të SPAK. Të dhënat e Ministrisë së Financave ngrenë gjithashtu shqetësime për monitorimin dhe kontrollin e kontratave, ndërsa pagesat e vitit 2025 arritën në nivelin më të lartë që prej nisjes së raportimit.

SYRI TV

Për periudhën 2017-2025 buxheti i shtetit ka paguar në total 98 miliardë lekë, ose rreth 1 miliard euro, për 12 kontrata koncesionare. Në vitin 2015 u dhanë koncesioni i sterilizimit dhe ai i check-up. Në 2016 u miratua koncesioni i dializës, ndërsa në 2019 ai i laboratorëve, të gjitha kontrata në sektorin e shëndetësisë. Në të njëjtën periudhë nisi edhe praktika e koncesioneve për trajtimin e mbetjeve. Kontrata për inceneratorin e Elbasanit u dha në vitin 2015, më pas u shtua ajo e Fierit në 2017 dhe në vitin 2019 i Tiranës. Në vitin 2017 u dha me koncesion mirëmbajtja e rrugës Milot–Morinë, ndërsa në 2018 u miratua kontrata për Rrugën e Arbrit, teksa u rishikua gjithashtu koncesioni i skanimit. Të gjitha këto kontrata përfituan pagesa të drejtpërdrejta nga buxheti i shtetit.

Një pjesë e konsiderueshme e kontratave ka rezultuar joeficiente në kosto, ndërsa disa prej tyre janë tashmë objekt hetimi zyrtar nga SPAK. Të dhënat e Ministrisë së Financave për buxhetet faktike të periudhës 2017-2025, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se buxheti i shtetit për 12 kontratat koncesionare, ka paguar në total 98 miliardë lekë.

Pagesa më e lartë është kryer për Rrugën e Arbrit, me 22.6 miliardë lekë. Më pas renditet koncesioni i sterilizimit, me 14.8 miliardë lekë, skanimi me 13.7 miliardë lekë dhe Inceneratori i Tiranës me 8.4 miliardë lekë. Nga 12 koncesionet e financuara nga buxheti, për gjashtë prej tyre – tre inceneratorët, check-up, sterilizimi dhe laboratorët – është hapur një hetim zyrtar ose kanë nisur procedurat nga SPAK, me akuza që përfshijnë korrupsionin, shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e parave. Për këto gjashtë kontrata, buxheti i shtetit ka paguar gjatë periudhës 2017-2025 gjithsej 44.4 miliardë lekë, ose rreth 460 milionë euro. Nga totali, rreth 15 miliardë lekë janë paguar për projektet e inceneratorëve. Ndërkohë, rreth 29.6 miliardë lekë janë paguar për tre koncesionet e shëndetësisë që janë nën hetim nga SPAK-u. Edhe vetë Financat kanë shprehur shqetësimin se kontratat koncesionare nuk po kontrollohen dhe as monitorohen në respekt të detyrimeve ligjore dhe marrëveshjeve ndërmjet shtetit dhe privatit, që janë instrumente të detyrueshme. Pagesat faktike për vitin 2025, në total arritën në 13.35 miliardë lekë, me rritje minimale vjetore prej 0.5%, duke shënuar nivelin më të lartë historik që prej vitit 2017, kur ka filluar raportimi.

Inceneratorët mbeten ndër koncesionet më të debatuara në vend, për shkak të shkeljeve dhe abuzimeve të konstatuara gjatë hetimeve të SPAK. Tre kontratat janë vendosur nën masa bllokuese ose sekuestroje, ndërsa hetimet kanë ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën e dhënies së tyre, përdorimin e fondeve publike dhe realizimin faktik të investimeve. Gjithashtu hetimet për tre inceneratorët nxorën më qartë në pah se kontratat nuk sollën përmirësimin e pritshëm në menaxhimin e mbetjeve, ndërsa kostot për buxhetin mbetën të larta. Sipas hetimeve të SPAK, shkeljet nisën që në procedurat e dhënies së koncesioneve dhe vijuan me falsifikimin e dokumenteve të pronësisë, krijimin e kompanive fiktive, faturime të rreme dhe pagesa për punime të parealizuara. Hetimi evidentoi gjithashtu përdorimin e skemave fiktive të pagesave për të fshehur origjinën dhe destinacionin e shumave monetare, si dhe faturime të rreme që dyshohet se janë përdorur për të fryrë shpenzimet dhe për të ulur detyrimet tatimore.

Sot, gati gjysma e shumës së dhënë për koncensionet, është nën hetim, ndërsa nuk ka përgjegjës për arkitektët e këtij abuzimi masiv, dëmet që i sollën ekonomisë dhe shpërdorimin e parave të taksapaguesve, në të ashtuquajturat skema të partneritetit publik privat. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco