Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, u pa duke lënë objektin e Qeverisë së Kosovës pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, i cili është njëherësh edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Të lidhura
None found
Pak më vonë, nga ndërtesa e Qeverisë doli edhe kryeministri Kurti, pas përfundimit të takimit me Hamzën.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacione zyrtare për temat e diskutuara gjatë takimeve, të zhvilluara një ditë para seancës së Kuvendit të Kosovës. Në këtë seancë pritet të betohen deputetët e rinj dhe të zgjidhet nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së.
Ndërkohë, PDK-ja ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kjo çështje do të përfshihet në rendin e ditës së seancës së nesërme.
Seanca mbahet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vlerësuar se Kuvendi është konstituuar me vonesë, ndërsa ka konstatuar se Qeveria e Kosovës është zgjedhur në pajtim me Kushtetutën.
Në të njëjtin vendim, Gjykata Kushtetuese ka caktuar 6 tetorin si afatin e fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
