Vuçiç jep dorëheqjen si president i Serbisë: Do të duhet të mbrojmë popullin tonë në Kosovë

27 Shtator 2026 | 20:58

Aleksandër Vuçiç ka dhënë dorëheqjen nga posti i Presidentit të Serbisë, pas më shumë se nëntë vitesh në krye të shtetit. Në fjalimin e tij të fundit nga Presidenca, Vuçiç tha se “ka ardhur ora e vendimit” dhe falënderoi qytetarët për besimin e dhënë në dy zgjedhjet presidenciale, në vitet 2017 dhe 2022.

Vuçiç deklaroi se Serbia po hyn në një “kapitull të ri”, ndërsa gjatë fjalimit bëri një bilanc të viteve të tij në pushtet, duke u ndalur te zhvillimi ekonomik, punësimi dhe ruajtja, sipas tij, e paqes dhe stabilitetit gjatë krizave të viteve të fundit.

Por një pjesë të rëndësishme të fjalimit ia kushtoi edhe Kosovës, duke përcaktuar si një nga detyrat e së ardhmes vazhdimin e mbështetjes për serbët atje.

“Do të duhet të mbrojmë popullin tonë në Kosovë dhe të mos lejojmë ata që do të përpiqen t’i bindin të gjithë që të heqim dorë sa më shpejt nga Kosova, sepse kështu, sipas tyre, nuk do të shohim më nga e kaluara, por nga e ardhmja. Prandaj, të gjithë do të duhet t’i rezistojnë kësaj. Qytetarët le të mendojnë vetë”, tha Vuçiç.

Në vijim, Vuçiç foli për drejtimin që, sipas tij, duhet të ndjekë Serbia, duke përmendur vazhdimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian, por edhe ruajtjen e marrëdhënieve me aleatët tradicionalë në Lindje.

“Serbia, duke vazhduar rrugën e saj evropiane dhe duke u kujdesur për miqtë e saj tradicionalë në Lindje, do të duhet të zhvillohet ekonomikisht edhe më shpejt”, tha ai.

Në fund të fjalimit, Vuçiç njoftoi edhe faljen dhe amnistimin e 49 personave, 23 prej të cilëve, sipas tij, lidhen me ngjarjet e një viti e gjysmë të fundit në Serbi.

Dorëheqja e Vuçiçit vjen në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit. Ai ka njoftuar se do të marrë pjesë në fushatë si qytetar dhe është kandiduar nga Partia Progresive Serbe për postin e kryeministrit.

Pas dorëheqjes, detyrat e presidentit të Serbisë do të ushtrohen përkohësisht nga kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç, deri në zgjedhjen e presidentit të ri.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ndryshohen ambasadorët e Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka propozuar ndryshime në drejtimin e dy ambasadave të Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut....
20:40 | 27/09/2026

Gerti Shella: Vlora Hyseni dorëzoi dorëheqjen, por nuk ja pranuan

I ftuar në “Review” me Greta Topjanën, eksperti i gjyqësorit Gerti Shella komentoi masën e arrestit ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, ndërsa dha një...
20:37 | 27/09/2026

Rama: Askush s’më akuzon dot se kam vepruar kundër Shqipërisë, jam për të bërë histori, jo pasuri

Kryeministri Edi Rama deklaroi se gjatë viteve të tij në politikë mund të ketë bërë gabime, por sipas tij, askush nuk mund ta akuzojë se...
14:57 | 27/09/2026