Sport

Humbje e hidhur në Vjenë, Kosova mundet 3-1 nga Austria, goli i Zhegrovës nuk mjafton

Ka përfunduar me një rezultat zhgënjyes përballja mes Austrisë dhe Kosovës e vlefshme për Ligën e Kombeve, ku Dardanët janë mposhtur me shifrat 3-1 në Vjenë.

Skuadra e drejtuar nga Franco Foda e nisi ndeshjen me synime të qarta për të vazhduar ecurinë pozitive pas suksesit ndaj Irlandës, por u përball me një Austri tejet kërkuese dhe efikase në fushën e saj në “Ernst-Happel-Stadion”. Vendasit arritën të zhbllokojnë shifrat dhe të kalojnë në avantazh në minutën e 23-të, falë golit të shënuar nga David Affengruber. Kur të gjithë po prisnin vërshëllimën e gjyqtarit për të shkuar në dhomat e zhveshjes, austriakët i dhanë një tjetër goditje të rëndë ekipit tonë. Junior Adamu arriti të dyfishojë epërsinë në minutat shtesë të pjesës së parë, saktësisht në minutën 45’+2.

Në pjesën e dytë, trajneri Foda bëri përpjekjet e tij për të ndryshuar marshin e lojës, por ishin sërish austriakët ata që gjetën rrugën e rrjetës. Në minutën e 61-të, Carney Chukwuemeka thelloi epërsinë në 3-0, duke i bërë gjërat edhe më të vështira për Dardanët.

Reagimi i vetëm konkret i Kosovës erdhi në minutat e fundit të takimit. Ishte Edon Zhegrova ai që mori përsipër përgjegjësinë dhe u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 83-të, duke shënuar golin e ngushëllimit për ekipin tonë. Ky ishte dhe rezultati përfundimtar që vulosi takimin, 3-1 në favor të Austrisë. Me këtë humbje, Kosova bën një hap pas në grup, ndërsa vëmendja tashmë kthehet te përmirësimi i gabimeve për ndeshjet e radhës.