Aleksandër Vuçiç ka dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit të Serbisë, duke i dhënë fund para kohe mandatit të tij në krye të shtetit. Vendimi u bë publik të dielën në mbrëmje, gjatë një fjalimi drejtuar qytetarëve, pas ditësh spekulimesh dhe paralajmërimesh për largimin e tij.
Në fjalimin e tij, Vuçiç falënderoi qytetarët serbë për mbështetjen gjatë dy mandateve në presidencë dhe deklaroi se tashmë vendi hyn në një periudhë të re politike.
“Jam mirënjohës ndaj qytetarëve që më kanë treguar besimin dy herë. Sot është dita kur paraqes dorëheqjen time”, tha Vuçiç.
Presidenti në largim shfrytëzoi adresimin për të bërë edhe një bilanc të viteve të tij në pushtet. Ai përmendi zhvillimet në ekonomi, rritjen e punësimit, nivelin e borxhit publik dhe investimet në infrastrukturë, duke theksuar gjithashtu sfidat që do të përballet Serbia në vitet e ardhshme.
Sipas Vuçiçit, një nga prioritetet kryesore të udhëheqjes së ardhshme duhet të jetë forcimi i ekonomisë dhe investimi në fusha si arsimi, teknologjia, inteligjenca artificiale dhe robotika.
Në fjalimin e tij nuk mungoi as çështja e Kosovës. Vuçiç deklaroi se drejtuesi i ardhshëm i shtetit duhet të vazhdojë mbrojtjen e interesave që Serbia i konsideron kombëtare, si dhe të serbëve që jetojnë në Kosovë.
“Të gjithë do të duhet t'i rezistojnë heqjes dorë nga Kosova. Do të duhet të merremi me zhvillimin ekonomik, mbi të gjitha me inteligjencën artificiale dhe robotikën, në mënyrë që të mos mbetemi prapa”, u shpreh ai.
Dorëheqja e Vuçiçit vjen në një moment të rëndësishëm për skenën politike serbe, pak përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit. Edhe pse nuk do të jetë më në krye të shtetit, Vuçiç ka deklaruar se do të vijojë aktivitetin politik dhe do të angazhohet në fushatën zgjedhore.
Vuçiç mori drejtimin e presidencës serbe në vitin 2017 dhe u rizgjodh në vitin 2022. Mandati i tij i dytë pritej të përfundonte në vitin 2027, por dorëheqja e shpallur tani e ndërpret atë para afatit.
Pas dorëheqjes nis procedura për zëvendësimin e përkohshëm të presidentit. Sipas ligjit serb, kompetencat e kreut të shtetit i kalojnë përkohësisht kryetarit të Asamblesë Kombëtare, funksion që aktualisht mbahet nga Ana Brnabiç.
Brnabiç mund ta ushtrojë këtë detyrë për një periudhë maksimale prej tre muajsh. Brenda kësaj periudhe duhet të zhvillohen edhe zgjedhjet e parakohshme presidenciale. Legjislacioni parashikon që votimi të mbahet jo më vonë se tre muaj pas përfundimit të parakohshëm të mandatit, ndërsa periudha nga shpallja e zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të jetë nga 30 deri në 60 ditë.
Me largimin e Vuçiçit, Serbia hyn kështu në një periudhë të re politike, e cila pritet të përcaktohet fillimisht nga zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit dhe më pas nga gara për presidencën e vendit.