E diel, 27 Shtator 2026 Film TV deri në 22:30 Në vijim ora 22:30: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Ekonomi

Menaxhon 20 apartamente me qira ditore, ja cila është leverdia e këtij tregu

Ferdinat Fushëza është një ndër individët e parë që ka nisur të investojë në tregun e qirave ditore, që në vitin 1993. Nga ajo kohë e deri më sot, ai menaxhon 20 apartamente dhe ka mirëpritur me mijëra turistë ditorë. Sot tregu i qirave afatshkurtra nëpërmjet platformave Booking dhe Airbnb është në një rritje të vrullshme, ndaj dhe vendimi për të investuar në këtë treg mbetet me leverdi në disa aspekte, sipas tij.

Unë, vit pas viti, kam kaluar nga qiraja mujore në qira ditore. Leverdia nuk është vetëm në aspektin financiar. Një qira afatgjatë mujore rrezikon të dëmtojë pronën. Çmimet e qirave ndryshojnë, ndërsa rishikimi i kontratës është i vështirë për t’u riparë. Në qiratë ditore jam më në kontakt me pronën dhe mirëmbajtjen e shtëpisë. Turisti që vjen në Shqipëri i përket kategorisë low cost, ndaj dhe zgjedhja që ata bëjnë janë apartamentet, shumë prej të cilave janë investime realisht luksoze. Pra, turisti ndihet si në shtëpinë e tij – tha për emisionin E-ZONE Fushëza.

Sipas tij, ky model biznesi, nëse i përkushtohesh, ofron qëndrueshmëri përgjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në sezon.

Që të jesh i suksesshëm, nuk mjafton që të reklamosh pronat vetëm në platformat online. Duhet të kesh shumë kontakte që të përfitosh vizitorë përgjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në muajt e sezonit veror. Sot italianët janë një treg turistësh që po rriten çdo ditë e më shumë për shkak të turizmit dentar.

Por rritja e vrullshme vitet e fundit në tregun e ndërtimit ka nxitur ofertën për apartamente me qira afatshkurtër.

Ajo çka po ndodh sot në treg është që menaxhimi i banesave me qira ditore po kalon nga individi drejt kompanive më të specializuara. Kjo bën që tregu të formalizohet edhe më shumë, ndërsa të rritet edhe standardi i shërbimit. Në çdo rast, sado të rriten qiratë mujore në 600-800 euro, sërish norma e fitimit në qiratë ditore është afro dyfish më shumë, por është një punë që je në kontakt 24 orë në 7 ditë të javës – tha Fushëza.

Sipas të dhënave, janë rreth 25 mijë apartamente që janë listuar në platformat online, përqendruar më së shumti në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Por tregu mendohet se ka më shumë apartamente, të cilat ende funksionojnë në informalitet.

/vizionplus.tv

Më shumë video

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.