Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka urdhëruar një grup ministrash dhe zyrtarësh të lartë që të nisin përgatitjet për një çështje të mundshme kundër presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë.
Sipas agjencisë izraelite të lajmeve i24NEWS, nisma lidhet me akuzat për trajtimin e komunitetit kurd në Turqi dhe me pretendimet për financimin e Hamasit nga qeveria turke.
Vendimi për të përgatitur dosjen raportohet se erdhi pas përshkallëzimit të tensioneve mes Izraelit dhe Turqisë. Erdogan kishte njoftuar më herët se i kishte kërkuar Interpolit të lëshonte një “njoftim të kuq” për arrestimin e Netanyahut.
Sipas raportimit, çështja që po shqyrtohet nga pala izraelite do të përqendrohet kryesisht në politikat e qeverisë së Erdoganit ndaj pakicës kurde në Turqi, si dhe në pretendimet për mbështetje dhe financim të Hamasit.
Burimet e cituara nga i24NEWS bëjnë me dije se Izraeli po shqyrton mënyra të ndryshme për ta çuar përpara nismën ligjore. Një prej mundësive është referimi i çështjes në institucionet ndërkombëtare përmes një shteti të tretë.
Izraeli nuk është palë në Statutin e Romës, dokumenti themelues i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, ndërsa as Turqia nuk e ka ratifikuar atë.
Përplasja diplomatike mes Izraelit dhe Turqisë
Përgatitja e një dosjeje të tillë shihet si pjesë e një serie zhvillimesh që kanë thelluar përplasjen mes Ankarasë dhe Tel Avivit, veçanërisht lidhur me luftën në Gaza dhe qëndrimin e Turqisë ndaj Hamasit.
Sipas burimeve të cituara nga i24NEWS, ekziston mundësia që iniciativa ligjore të përdoret edhe si instrument presioni politik dhe diplomatik ndaj presidentit turk.
Burimet pretendojnë se synimi mund të jetë parandalues dhe se autoritetet izraelite nuk dëshirojnë domosdoshmërisht që procesi të shkojë deri në fund, nëse përmes vetë ekzistencës së çështjes mund të ushtrohet presion ndaj Ankarasë.
Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu nuk pranoi të komentojë raportimet mbi përgatitjen e çështjes. As zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë të Izraelit nuk kanë dhënë koment publik mbi këtë zhvillim. Për momentin, bëhet fjalë për përgatitje të raportuara të një çështjeje të mundshme, dhe jo për një proces gjyqësor të nisur zyrtarisht në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.
