Ministrat e brendshëm nga 17 vende të Bashkimit Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar u mblodhën për të diskutuar forcimin e kontrolleve në kufijtë e jashtëm, shpejtimin e përgjigjes ndaj emergjencave migratore dhe zbatimin e procedurave të përshpejtuara për kthimin e personave pa të drejtë azili.
Takimi zhvillohet në një kohë kur blloku evropian po zbaton Paktin e ri për Migracionin dhe Azilin, të hyrë në fuqi në qershor, me qëllim unifikimin e rregullave dhe menaxhimin më efikas të kufijve komunitarë.
Propozimi për një mekanizëm të ri emergjence
Gjatë takimit, Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, theksoi nevojën për korniza të reja ligjore e teknike që t’u përgjigjen me shpejtësi situatave të krizës, duke përmendur si shembull presione të tilla si fluksi i fundit i kalimeve në enklavën spanjolle të Ceutës në kufi me Marokun.
“Ekziston nevoja për një mekanizëm të ri evropian për krizën e migracionit. Ne duhet të kemi rregulla të qarta për identifikimin e emergjencave kufitare, një sistem operacional për t’iu përgjigjur atyre dhe procedura të përshpejtuara për kthimet.”, tha Alexander Dobrindt, ministër i Brendshëm i Gjermanisë.
Dobrindt shprehu gjithashtu shpresën se Agjencia Evropiane e Rojeve Kufitare dhe Bregdetare (Frontex) do të luajë një rol më aktiv dhe të drejtpërdrejtë në koordinimin e proceseve të dëbimit e kthimit të emigrantëve të paligjshëm.
Rënia e kalimeve të paligjshme dhe qëndrimi i BE-së
Nga ana e tij, Komisioneri i BE-së për Migracionin, Magnus Brunner, nëvizoi se masat e marra po japin rezultate konkrete në terren, ndonëse mbrojtja e kufijve mbetet përparësi absolute.
Sipas të dhënave zyrtare të paraqitura nga Komisioni, kërkesat për azil dhe tentativat për kalimin e Mesdheut kanë shënuar rënie të ndjeshme, ndonëse rreziqet për udhëtarët mbeten të larta.
“Migrimi i paligjshëm ka rënë ndjeshëm. Në dy vitet e fundit ai ka rënë me 55%, ndërsa vitin e kaluar ra përsëri me një të tretën. Ne si evropianë duam të vendosim se kush mund të qëndrojë në Evropë, dhe ata që nuk mund të qëndrojnë duhet të largohen. Për këtë bëhet fjalë.”, theksoi Magnus Brunner, Komisioner i BE-së për Migracionin.
Takimi i nivelit të lartë rikonfirmoi orientimin e përbashkët të vendeve evropiane drejt një politike më strikte kufitare dhe rritjes së bashkëpunimit me Britaninë e Madhe në përballje me rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore.
Lini një Përgjigje