Nga Feti ZENELI
![]()
Oruell ka thënë: “Nëse liria do të thotë diçka, ajo do të thotë të drejtën për t’u thënë njerëzve atë që nuk duan të dëgjojnë”. Në këtë kuptim, shkrimtari i vërtetë nuk është vetëm kronikan i kohës së vet, por edhe ndërgjegjja e saj. Ai e sheh njeriun përtej dukjes, jetën përtej fasadës dhe të vërtetën përtej zhargonit të fjalëve. Pikërisht në këtë udhë të vështirë të fjalës, mes realitetit, kujtesës dhe guximit për të thënë atë që shpesh pasohet nga heshtja, shfaqet krijimtaria e shkrimtarit Faik Islami. Letërsia e tij buron nga toka ku lindi, nga njerëzit që njohu dhe nga përvojat e një kohe që la gjurmë të thella mbi individin dhe shoqërinë. Ai shkroi për njeriun e zakonshëm, por në fatin e tij synoi të lexojë edhe fatin e një epoke.
Një shkrimtar i tokës dhe i njerëzve
Ka shkrimtarë që e ndërtojnë veprën e tyre mbi ngjarje të mëdha, mbi personazhe të bujshme e mbi rrëfime që kërkojnë të mahnitin lexuesin. Ka edhe të tjerë që e gjejnë madhështinë e letërsisë te njeriu i zakonshëm, te jeta e tij e heshtur, te dhimbja që nuk bërtet, te varfëria që nuk ankohet dhe te humori që lind pikërisht atëherë kur jeta duket më e pamëshirshme. Faik Islami i përket kësaj kategorie të dytë. Ai është një shkrimtar që e ka parë botën nga afër, me syrin e njeriut që ka njohur punën, fshatin, qytetin, institucionin, padrejtësinë, përplasjen dhe zhgënjimin, por që nuk e ka humbur kurrë aftësinë për të qeshur me absurditetet e jetës.
Faik Islami është një figurë me profil të veçantë krijues, një shkrimtar i talentuar dhe një mjeshtër i realizmit tradicional, por realizmi i tij nuk është një fotografim mekanik i së përditshmes. Ai nuk mjaftohet të tregojë se çfarë ka ndodhur; ai kërkon të depërtojë në atë që fshihet pas ngjarjes. Në prozën e tij, fati i individit shpesh bëhet pasqyrë e fatit të një bashkësie të tërë. Një njeri, një familje, një fshat, një konflikt, një padrejtësi e vogël apo një episod që në pamje të parë mund të duket i parëndësishëm, marrin në veprën e tij përmasa më të gjera dhe bëhen pjesë e një tabloje shoqërore.
Kjo është një nga vlerat më të dukshme të krijimtarisë së tij: aftësia për ta kthyer të veçantën në të përgjithshme.
Personazhet e Faikut nuk jetojnë në boshllëk. Ata janë bij të një kohe, të një vendi dhe të një realiteti konkret. Mbajnë mbi shpinë peshën e historisë, zakoneve, varfërisë, shpresave dhe zhgënjimeve. Përmes tyre, shkrimtari ndërton një lloj mikrokozmosi të shoqërisë shqiptare. Në të pasqyrohen dilemat morale, përplasjet e interesave, qëndresa e njerëzve të thjeshtë, marrëdhënia e tyre me pushtetin, me punën, me varfërinë dhe me ndryshimet e mëdha historike.
Në këtë kuptim, letërsia e Faik Islamit nuk është thjesht letërsi për personazhet; është letërsi për kohën në të cilën ata jetojnë.
Ai ka ditur të shohë se historia nuk shkruhet vetëm në kancelari, në zyra shtetërore apo në faqet e librave. Historia e vërtetë jeton edhe në oborret e shtëpive, në rrugicat e fshatrave, në tryezat e varfra, në bisedat e burrave, në shqetësimet e grave dhe në heshtjet e njerëzve që nuk kanë pasur kurrë mundësi të shkruajnë vetë historinë e tyre. Sepse një popull nuk njihet vetëm nga historia që ka shkruar; njihet edhe nga dhimbjet që ka përcjellë në heshtje. Ndaj shkrimtari dhe filozofi zvicerian, Marks Pikard thotë: “Ana e heshtur e historisë shihet gjithmonë në vuajtjen e njerëzve dhe të kombeve.” Pikërisht këtë heshtje Faik Islami përpiqet ta bëjë të dëgjueshme përmes letërsisë. Në veprat e tij në prozë, si “Manarica”, “Grava”, “Rruga gjer tek kthesa”, “Valle mbi humnerë”, “Përmbysja e botës” e të tjera, lexuesi ndeshet me një botë të gjallë, të larmishme dhe të ngarkuar me përvojë njerëzore. Aty nuk ka vetëm ngjarje; ka atmosferë, kujtesë, karaktere, mentalitete, gjuhë dhe, mbi të gjitha, një marrëdhënie të fortë me tokën dhe vendlindjen.
Një nga shtyllat më të rëndësishme të këtij universi krijues është gjuha. Faik Islami nuk shkruan në një gjuhë të ftohtë, të sterilizuar nga jeta. Gjuha e tij është e pasur me frazeologji, me shprehje popullore, me terma etnografikë dhe me të folmen karakteristike të Labërisë, veçanërisht të Golëmit dhe krahinave përreth. Kjo gjuhë nuk është vetëm një mjet komunikimi. Ajo është një pjesë e identitetit të veprës.
Në duart e një shkrimtari të zotë, dialekti nuk është kufizim; është pasuri. Faik Islami e ka kuptuar këtë. Ai nuk e përdor të folurën e vendlindjes për të krijuar një efekt të jashtëm folklorik, por për të ruajtur mënyrën e të menduarit, ritmin e bisedës dhe botën shpirtërore të njerëzve që përshkruan. Fjalët dhe shprehjet tipike të vendlindjes mbajnë brenda tyre kujtesën e brezave. Këtu qëndron edhe një nga meritat e tij: ai arrin ta kthejë traditën në art pa rënë në provincializëm.
Golëmi nuk është vetëm një vend gjeografik në veprën e tij. Ai bëhet një hapësirë shpirtërore. Aty njeriu matet me tokën, me malin, me punën, me varfërinë, me humorin dhe me dinjitetin. Fshati nuk idealizohet, por as nuk përçmohet. Ai paraqitet me të mirat dhe dobësitë e tij, me mençurinë dhe naivitetin, me trimërinë dhe frikën, me humorin dhe tragjizmin. Dhe pikërisht këtu realizmi i Faik Islamit fiton një dimension të veçantë: ai nuk e zbukuron jetën, por as nuk ia mohon bukurinë që fshihet brenda saj.
Jeta si provë dhe letërsia si dëshmi
Një vepër letrare shpesh kuptohet më mirë kur shihet nën dritën e jetës së autorit. Kjo nuk do të thotë se letërsia duhet reduktuar në biografi. Përkundrazi, shkrimtari i madh e shndërron përvojën personale në një të vërtetë më të gjerë njerëzore.
Në jetën e Faik Islamit pati edhe momente të tilla kur historia nuk ishte më diçka që ai e vëzhgonte nga larg. Historia hyri drejtpërdrejt në jetën e tij. Lindi në Golëm të Gjirokastrës, më 7 qershor 1943. U formua në një mjedis ku puna dhe toka ishin pjesë e përditshmërisë, ndërsa më vonë mori arsimim të lartë në Fakultetin e Agronomisë, të cilin e përfundoi në vitin 1972. Filloi punë në Shkollën “21 Nëntori” në Vorë, Tiranë. Por rruga e tij profesionale nuk do të kufizohej vetëm në fushën e bujqësisë. Në vitin 1973 ai fitoi një konkurs për gazetari dhe u emërua redaktor përgjegjës në Agjencinë Telegrafike Shqiptare. Kjo periudhë i dha mundësinë të shkruante artikuj, reportazhe dhe tregime të shkurtra në shtypin e përditshëm. Kështu, krahas formimit shkencor, ai po ndërtonte edhe një formim të rëndësishëm letrar e publicistik. Por vetëm dy vjet më pas, në vitin 1975, jeta e tij mori një kthesë të dhimbshme. Në kulmin e acarimit politik me Kinën, me vendim të Drejtorisë së Propagandës në Komitetin Qendror të PPSH-së, ai u shpall armik dhe iu dorëzua hetuesisë. Për njëmbëdhjetë muaj qëndroi nën hetim, pa prova që të mbështesnin akuzat ndaj tij. Më pas u la i lirë, por kjo liri ishte e kushtëzuar nga ndëshkimi: punëtor për “riedukim” në Sektorin e dytë të Selitës, në Ndërmarrjen Bujqësore “Gjergj Dimitrov”. Ky episod është i rëndësishëm jo vetëm si fakt biografik, por edhe si çelës për të kuptuar një pjesë të botës së tij letrare.
Njeriu që ka provuar padrejtësinë nuk mund ta shohë pushtetin me të njëjtin sy si ai që e ka njohur vetëm nga larg. Përvoja e hetimit, përndjekjes dhe punës së detyruar i dhanë atij një njohje të drejtpërdrejtë të mekanizmave të frikës dhe të absurdit njerëzor. Prandaj, kur në veprat e tij përshkruhen përplasjet e njerëzve me sistemet, luftërat, djegiet e fshatrave apo përmbysjet shoqërore, ato nuk vijnë thjesht si skema ideologjike. Pas tyre ndihet përvoja e një njeriu që e ka kuptuar se historia, kur bëhet e pamëshirshme, hyn në shtëpitë e shpirtrat e njerëzve dhe ndryshon jetën e tyre.
Në vitin 1978 iu dha e drejta të punonte si specialist në Kooperativën e Bashkuar të Bërzhitës, në Tiranë. Në vitin 1980 fitoi një bursë njëvjeçare për specializim pasuniversitar në Universitetin Bujqësor të Kamzës, në fushën e teknologjive bashkëkohore të ushqimit. Një vit më vonë, në 1981, u emërua bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Studimit të Tokave në Tiranë.
Edhe në këtë periudhë ai nuk mbeti vetëm brenda profesionit të tij. Shkroi artikuj shkencorë dhe shoqërorë, duke dëshmuar një profil të gjerë intelektual. Ishte autor i skenarit të filmit “Tokat e kripura dhe rrugët e përmirësimit të tyre”, në bashkëpunim me Kinostudion “Shqipëria e Re”, si edhe autor i disa teksteve mësimore për shkollat e mesme të specialitetit bujqësor. Në vitin 1991 fitoi një bursë specializimi në Universitetin e Kairos, në Egjipt. Pas kësaj periudhe u shkëput nga fusha ku kishte punuar për vite dhe kaloi në profesion të lirë privat. Boton për një periudhë të gjatë kohe edhe dy gazeta periodike. Njëra lidhej me një shqetësim të madh shoqëror të kohës: armatosjen e popullsisë në ngjarjet e vitit 1997 dhe domosdoshmërinë e largimit të armëve përmes dijes, me titullin domethënës “Larg Armëve Dituria”. Tjetra i kushtohej vendlindjes së tij, Golëmit.
Kjo rrugë e jetës tregon një njeri që, pavarësisht goditjeve, nuk u dorëzua. Ai kaloi nga agronomia te gazetaria, nga shkenca te letërsia, nga institucionet te profesioni i lirë, por në të gjitha këto etapa mbeti i njëjti, kërkues: një njeri që donte të kuptonte realitetin dhe ta shprehte atë me fjalë. Jeta mund t’ia ndryshojë njeriut rrugën, por nuk mund t’ia ndryshojë domosdoshmërisht drejtimin. Drejtimi i Faik Islamit mbeti fjala. Dhe fjala e tij ishte e lidhur ngushtë me të vërtetën.
Një fletë-rrufe ndaj “Hostenit”, si vepër më vete
Ka një humor që vetëm të bën të qeshësh dhe ka një tjetër që, pasi të ka bërë të shkrihesh gazit, të detyron të mendosh, sikundër është humori i Faikut. Sepse ai nuk është humor mbi një situatë, apo mbi një ves; shpesh është humor mbi vetë mënyrën se si një shoqëri mësohet të qeshë, të gjykojë dhe të shpallë të vërteta.
Kjo karakteristikë tipike e tij bëhet veçanërisht e dukshme në tregimin “Frikë nga e vërteta”, në përmbledhjen “Rruga gjer te kthesa”, ku Faiku rikthen në kujtesë fletë-rrufenë e tij të 6 shkurtit 1986, drejtuar revistës “Hosteni”.
Në këtë rast, rrethanat e shkrimit së fletë-rrufesë janë po aq të rëndësishme sa vetë teksti. Dikush kishte botuar në “Hosteni” një artikull, se Faiku kishte ndërruar një motor të ri me një motor të përdorur të ministrisë. Mirëpo, sipas sqarimit të tij, këmbimi ishte bërë në përputhje me procedurat e kohës dhe ishte miratuar me firma zyrtare, deri edhe nga dy zëvendësministrat përkatës të Bujqësisë dhe Industrisë.
Pra, ajo që duhej të ishte një çështje administrative, e cila ishte kaluar nëpër hallkat përkatëse, u kthye nga “Hosteni” në një akuzë me ngjyrim moral.
Dhe pikërisht këtu fillon loja e vërtetë dhe e mençur e Faikut. Ai nuk përgjigjet me një kundërakuzë të drejtpërdrejtë. Nuk shkruan me gjuhën e zemërimit. Nuk thotë: “Ju keni gabuar.” Përkundrazi, bën diçka shumë më të zgjuar: i futet lojës së “Hostenit” dhe ia kthen satires me satirë. Kjo është arsyeja pse fletë-rrufeja e tij mund të lexohet si një rast i rrallë humori mbi humorin.
“Hosteni” ishte një revistë satiriko-humoristike dhe politiko-shoqërore. Faiku, duke iu drejtuar kryeredaktorit Niko Nikolla, nuk e braktis këtë terren. Ai hyn në të dhe fillon të argëtohet me mënyrën se si revista bën humor. Fletë-rrufeja nis me një fjali që në pamje të parë është miqësore: “Na, në Golëm e kemi si fshat qejf ‘Hostenin’...” Dhe menjëherë pas kësaj vjen kthesa: “...por njëra më sot, nuk jemi xongurrisur me tyja.” Për të vijuar më tej me fjalët: “Ti na gjete pa u njohur e pa u prezantuar. Prandaj të gjettë e mira derën…!” Këtu Faiku instalon që në fillim çelësin e gjithë tekstit. Ai nuk shkruan nga pozita e një intelektuali që u jep leksion gazetarëve, gjë të cilën mund të bënte shumë mirë. Shkruan si Golëmas. E merr gjuhën e vendit të vet, me natyrshmërinë, shpengimin dhe humorin e saj, dhe e vendos përballë gjuhës së një reviste që pretendon se ka autoritetin për të gjykuar të tjerët.
Është një përmbysje e roleve. Dhe kjo përmbysje bëhet edhe më e fortë kur futet në skenë vetë fshati: “Golëmi është njëmijë e dyqindë metra mbi nivelin e detit. Lart është ca dhe ju të ‘Hostenit’ e keni të vështirë të ngjiteni deri këtu.” Sa e bukur është kjo goditje! Në pamje të parë, Faiku po flet për lartësinë gjeografike. Por në planin satirik, Golëmi po ngrihet edhe në një lartësi morale dhe vëzhgimi. Ata të “Hostenit” nuk ngjiten dot deri aty. Jo vetëm fizikisht. Sikur autori të thotë: ju mund të shkruani nga Tirana, nga zyrat, nga redaksia, por për ta kuptuar këtë vend duhet të vini këtu.
Dhe pastaj vjen një nga ironitë më të bukura: “...me blegtori jemi mirë, jami mirë se kanë çoban delet tona, o Niko!” Kjo fjali është e jashtëzakonshme pikërisht sepse është njëherësh e thjeshtë dhe e sofistikuar. “Kanë çoban delet tona” mund të lexohet si një përgjigje për akuzën, por edhe si një thumb i drejtpërdrejtë ndaj redaksisë. Faiku sikur u thotë: mos u shqetësoni për delet tona; ne këtu kemi çobanët tanë. Dhe pastaj:
“Prandaj, po deshe, eja të marrësh pak eksperiencë edhe për ato bagëtitë e tua…” Këtu kemi një tjetër përmbysje. Golëmi, i cili në hierarkinë kulturore të kohës mund të dukej si periferi, shndërrohet në vendin ku redaksia mund të vijë “të marrë eksperiencë”. Kjo është një nga mënyrat më elegante të goditjes satirike: autori nuk e shpall veten më të mençur; e lë kundërshtarin të hyjë vetë në rolin e atij që ka nevojë për mësim. Pastaj fletë-rrufeja e ndryshon ritmin.
“Pa le ai financieri i energjitikës! Matrapaz!” Këtu Faiku rikrijon me mjeshtëri zërin e atij që akuzon. Pastaj shpërthen pyetja e tij: “Të mos e njohësh tjetrin të mos i kesh parë surratin dhe të të akuzojë se i ke vjedhur zanatin…” Kjo është shumë më tepër se një shprehje humoristike. Është një kritikë ndaj gjykimit pa njohje, ndaj akuzës së hedhur nga larg, ndaj autoritetit të gazetarit që shkruan për dikë pa e njohur. Dhe pastaj vjen pyetja që godet drejtpërdrejt: “Ç’i thua t’i ‘Hosten’ vëllai kësaj?” Shprehja “Hosteni vëllai” e ul menjëherë distancën solemne të redaksisë. Revista nuk është më një tribunë e frikshme. Është një bashkëbisedues që Faiku e kap prej krahu dhe e fut në bisedë. Por kjo bisedë është e rrezikshme. Sepse pas saj fshihet gjykimi. Edhe më therës është përfundimi: “Motori i këtij njeriu s’paska rrota fare.”
Këtu absurdi bëhet metaforë. Nëse “Hosteni” e paraqet si problem një motor të ndërruar sipas rregullave dhe me miratimet përkatëse, Faiku e çon logjikën e akuzës deri në absurditet: motori qenka pa rrota. Në të vërtetë, pa rrota është vetë akuza.
Ajo nuk lëviz mbi fakte. Nuk ecën mbi realitet. Ka humbur lidhjen me tokën. Kjo është një nga pikat ku humori i Faikut bëhet satirë e mirëfilltë politike e shoqërore, pa pasur nevojë të përdorë asnjë parrullë. Pastaj vjen një tjetër goditje, kësaj here ndaj vetë klimës së redaksisë: “Mirë rakinë e ka pirë ai, Eqeremi, dhe unë vetëm ty ‘Hosten’ vëllai, të besoj. Po këta të Nikos, kryeredaktorit, pse janë dehur të gjithë…?” Këtu Faiku e ndërton humorin mbi një teknikë shumë të vjetër të satirës: shtirjen sikur po beson atë që askush nuk mund ta besojë. Ai pranon me humor versionin e akuzuesit, por pastaj pyet pse “të Nikos” qenkan dehur të gjithë. Pra, nuk është më vetëm çështja e një gazetari. Është redaksia si kolektiv, atmosfera ku njëri shkruan dhe të tjerët e pranojnë. Kështu satira zhvendoset nga personi te mekanizmi, te kolektivi.
Dhe mekanizmi është ky: dikush akuzon, dikush tjetër e boton, të tjerët e besojnë dhe akuza merr trajtën e së vërtetës. Faiku e prish këtë zinxhir me një të qeshur. Pastaj rikthehet te vetë motori: “Ai këmbeu një motor të ri ‘Java’ 350-sh me një ‘Java’ të përdorur 350-sh, si më i përshtatshëm për zonat malore.” Deri këtu mund të dukej sikur po sqaronte faktet. Por menjëherë shton: “Këtë e gjetën me vend edhe dy zëvendësministrat që e firmosën.” Këtu ndodhet ironia më e thellë e gjithë episodit.
Faiku nuk ka nevojë të bërtasë: “Unë jam i pafajshëm.” Ai vetëm rendit faktet. Dhe fakti bëhet vetë satirë. Nëse vendimi është marrë sipas procedurës, nëse është miratuar dhe firmosur nga autoritetet përkatëse, atëherë akuza e “Hostenit” fillon të duket jo si zbulim i një shkeljeje, por si prodhim i një shkeljeje nga vetë imagjinata satirike e redaksisë. Kjo është “drejtësia mbi drejtësinë”. Faiku e merr standardin e drejtësisë së kohës dhe e përdor kundër atyre që pretendojnë se po e mbrojnë atë.
Më pas vjen emri i gazetarit: “Po pyet Çimi Melunin apo Fatmir Firaunin, për këto punë.” Dhe këtu loja bëhet edhe më personale, por pa humbur elegancën humoristike. Këtu emrat bëhen pjesë e një skene teatrale ku gazetari, kryeredaktori dhe personazhi i akuzuar vendosen përballë njëri-tjetrit.
Pastaj Faiku godet një tjetër dobësi të shtypit të kohës: “Tërhoqi një laps që na pataksi! Si ai gazetari që shkroi për bujqësinë e tha se ‘Glasa na qënkej një zog i bukur…’” Këtu “lapsi” bëhet pothuajse personazh. Kështu Faiku godet autoritetin e fjalës së shkruar kur ajo shkëputet nga njohja e realitetit. Dhe kjo është një nga ironitë më të holla të tekstit. Sepse një revistë satirike duhet të jetë syri kritik i shoqërisë. Por çfarë ndodh kur ky sy nuk sheh mirë? Atëherë satira bëhet vetë objekt satirizimi. Prandaj fletë-rrufeja e Faikut është kaq interesante: ajo nuk sulmon vetëm përmbajtjen e një shkrimi; vë në pikëpyetje aftësinë e satirës për të dalluar të vërtetën.
Dhe pastaj vjen skena e Niko Nikollës: “Unë të kërkova gjithandej ty Niko, por nuk të poqa dot. Më në fund, të pashë në një qoshe, por ishe flakë i skuqur...” Ky është një moment i mrekullueshëm i karikaturës. Kryeredaktori i revistës “Hosteni”, nuk paraqitet si një figurë solemne e pushtetit editorial. Ai bëhet personazh komik. Është “në një qoshe”, “flakë i skuqur” nga pija, ndërsa Faiku e sheh dhe mendon: “Sonte Nikos hapi udhë…!” Me pak fjalë, kryeredaktori zbret nga piedestali i autoritetit dhe hyn në skenën e humorit. Dhe këtu Faiku bën atë që di të bëjë satira e mirë: e humanizon autoritetin duke e bërë qesharak.
Por kulmi i fletë-rrufesë vjen me formulën: “Lidhe shkurt, atë Fatmir Firaunin...” Kjo frazë meriton vëmendje të veçantë. Ajo tingëllon si një këshillë e zakonshme, por në kontekst është një thumb i mprehtë ndaj stilit të “Hostenit”. Sikur Faiku t’i thotë kryeredaktorit: meqë ju pëlqen të “lidhni shkurt” njerëzit, po jua kthej edhe unë në të njëjtën gjuhë. Pra, ai nuk del nga loja. Ai luan sipas rregullave të tyre. Por i luan më mirë. Dhe pastaj vjen loja e jashtëzakonshme me emrin: “Tri gërmat e para të emrit dhe të mbiemrit të kryeredaktorit, nuk para na shkojnë mirë në një gjuhë të huaj… Niki-Niki (gjithmonë fitore, nga greqishtja). Shikoi mbiemrin! Firauni!...” Këtu humori bëhet shumëplanësh. Emri, gjuha e huaj, kuptimi i fjalës dhe mbiemri bashkohen në një lojë të vetme. Faiku nuk po thotë drejtpërdrejt asgjë të rëndë; ai vetëm i vendos fjalët pranë njëra-tjetrës dhe i lë lexuesit të bëjë lidhjen.
Kjo është mjeshtëri satirike. Fletë-rrufeja shndërohet një tekst ku e vërteta ecën e maskuar si shaka. Por ajo nuk është shaka e pafajshme. Është shaka që e di ku godet. Ai që zakonisht vihej në bankën e të akuzuarit, tani merr lapsin. Ai që zakonisht duhej të pranonte “të vërtetën” e shkruar nga të tjerët, tani fillon të pyesë: po ju, kush ju kontrollon? Prandaj kjo fletë-rrufe mund të quhet me të drejtë një tekst i “humorit mbi humorin”, që nuk duhet lexuar vetëm si një përgjigje ndaj një shkrimi të “Hostenit”, por si një përmbysje e marrëdhënies midis satiristit dhe objektit të satirës. Dhe kur një shkrimtar arrin ta bëjë këtë, humori nuk është më zbavitje.
Bëhet dëshmi, kritikë, kujtesë dhe një mënyrë për të ruajtur të vërtetën nga ata që pretendojnë se e kanë monopolin e saj.
Trashëgimia e fjalës poetike
Në vitet e fundit para ndarjes nga jeta, Faik Islami shkroi edhe një numër të konsiderueshëm poezish me tematikë sociale, të botuara kryesisht në shtypin e përditshëm. Në këto poezi, fjala bëhet më e drejtpërdrejtë, më e përmbledhur, më e mprehtë. Por zëri mbetet po ai: zëri i njeriut që nuk pranon ta shohë padrejtësinë dhe të heshtë. Titujt e poezive të tij janë vetë një program poetik: “Ngrihuni ju, të varfërit shokë...!”, “Perëndi, pse na dhe sytë?”, “Tjetër Muço Bej... Ky!”, “Eh moj miza, trompë gjatë!”, “Më dhimset...!”, “Zot, o Zot, pse bën sehir?”, etj.
Në këto vargje, poeti vëzhgon një shoqëri ku varfëria, mashtrimi, politika, korrupsioni, hipokrizia dhe indiferenca bashkëjetojnë në një skenë të trazuar. Në vargjet: “Sot, mbi dhe’, po endet lukunia/ gulçon e çirret, ajo ndër mejdane,/ ndër gjunjë e zvarritur, varfëria/ s’ka fuqi, për t’i rënë një kambane”, varfëria nuk është më vetëm një gjendje ekonomike. Ajo personifikohet. Ajo “endet”, “gulçon”, “çirret”, zvarritet. Ajo bëhet një qenie që kërkon të dëgjohet, por nuk ka më forcë as t’i bjerë kambanës. Kjo është një pamje tragjike. Kambana zakonisht lajmëron. Këtu varfëria nuk ka më fuqi as të lajmërojë për vuajtjen e vet.
Në poezinë e tij satirike shfaqet edhe një tjetër element i fuqishëm: fabula dhe alegoria.
Ujku që po e qethnin, sepse ndoshta do t’i vinin mendtë, ndërsa ai i kërkon berberit të shpejtojë se “i ikin dhëntë”, është një figurë e shkëlqyer satirike. Brenda pak vargjeve ndërtohet një botë e tërë morale: grabitqari që, edhe kur i nënshtrohet një procesi “edukimi”, nuk heq dorë nga natyra e tij. Kështu ndodh edhe me figurën e mizës: “Mizë, o miza, aq e ngratë,/ ti që s’di, ça peshe ke,/ je veç mizë, e vetëm aq,/ nduk dhe merr, në çdo hale.” Këtu gjuha popullore dhe satira bashkohen në një figurë të fuqishme. Miza bëhet simbol i atij që është i vogël në përmasa, por i madh në bezdi; i parëndësishëm në peshë, por këmbëngulës në ndërhyrje; që ushqehet pikërisht aty ku shoqëria ka plagët më të këqija. Ky është humor, por është edhe moral.
Në një tjetër poezi, autori shpreh dhimbjen për njerëzit që rendin pas atyre që flasin:
“Oh, sa më dhëmb, kur shikoj shumë/që rendin, të dëgjojnë, diku sa flitet...” Këtu zëri satirik shuhet për një çast dhe del në pah njeriu i shqetësuar. Ai nuk qesh më. Ai dhemb. Dhe ndoshta ky është dimensioni më i thellë i krijimtarisë së tij: pas humorit fshihet dhimbja; pas ironisë fshihet dashuria për njeriun; pas kritikës fshihet dëshira për një shoqëri më të drejtë.
Në vargjet: “Si ju duket, vendi në sherre?/ horrat, po shiten, si vizionarë,/ ç’krijm gjen, në këto ‘çerdhe’?/ plot banditë, e plot kusarë” satira shndërrohet në një akt qytetar. Poeti nuk kërkon vetëm të bëjë të qeshë. Ai kërkon të zgjojë. Dhe këtu qëndron misioni i tij. Shkrimtari që sheh një plagë dhe vetëm e përshkruan është dëshmitar; ai që e prek plagën me fjalë është edhe ndërgjegje. Faik Islami është i pranishëm tek të dyja, si dëshmitar i kohës së tij dhe njëkohësisht kritik i saj.
Jeta e tij kishte njohur kontradikta të mëdha: shkencën dhe letërsinë, institucionin dhe profesionin e lirë, ndëshkimin dhe ringritjen, heshtjen e imponuar dhe fjalën e lirë, vendlindjen dhe botën. Por në gjithë këtë udhëtim, Golëmi mbeti një pikë referimi.
Vendlindja nuk ishte për të vetëm një vend ku kishte lindur. Ishte një burim gjuhe, kujtese dhe identiteti. Ishte vendi ku kishte mësuar të dëgjonte fjalën e njerëzve dhe të kuptonte humorin e tyre. Dhe ndoshta shkrimtarët më të mirë nuk largohen kurrë plotësisht nga vendlindja. Ata mund të udhëtojnë nëpër botë, të studiojnë në universitete, të punojnë në institucione, të shkruajnë për politikën, shkencën apo shoqërinë, por brenda tyre mbetet gjithmonë një peizazh i parë, një zë, një erë dhe një fjalë e hershme. Për Faik Islamin, ai vend ishte Golëmi.
***
Faik Islami nuk ka shumë kohë që është larguar prej nesh, por vepra që la pas dëshmon, se një shkrimtar nuk matet me kohën që ka jetuar, por me gjurmën që lë në ndërgjegjen e njerëzve. Krijimtaria e tij e pasur dhe e ndjeshme mbetet një dëshmi e fuqisë së fjalës për të prekur shpirtin, për të zgjuar mendimin dhe për t’i dhënë zë atij që shpesh vuan në heshtje. Prandaj, një rikuiem për Faik Islamin do të ishte, mbi të gjitha, një këngë mirënjohjeje: mirënjohje për shkrimtarin që i dha zë njeriut të zakonshëm, që guxoi të qeshte atje ku të tjerët kishin frikë dhe të fliste atëherë kur heshtja dukej më e sigurt. Por, mbi të gjitha, mirënjohje për njeriun që, edhe pasi kaloi nëpër sprova të rënda të jetës, nuk e humbi kurrë besimin te fjala dhe te fuqia e saj për të mbijetuar si magjia e vetme që rrëmben zemrat e njerëzve.
Lini një Përgjigje