E turpshme në Milano/ Vandalizohet muralesi dedikuar Franco Baresit te selia e Milanit
Exclusive nga Endi Tufa
Ishin shokë skuadre te Brescia në një prej periudhave më të veçanta të karrierës së Igli Tares. Por marrëdhënia me Roberto Baggion nuk mbeti vetëm brenda fushës së futbollit.
Në vitin 2001, kur Tare luante në Serie A me Breshian, ai fliste me shumë respekt për marrëdhënien që kishte krijuar me një prej ikonave më të mëdha të futbollit italian.
“Marrëdhëniet me Robin janë marrëdhënie normale, domethënë marrëdhënie miqësore”, tregonte Tare në një intervistë të asaj kohe.
Por ajo miqësi ishte shtrirë edhe te familjet. Tare dhe Baggio jetonin në të njëjtën rezidencë dhe sulmuesi shqiptar kishte krijuar një marrëdhënie të afërt me familjen e yllit italian.
Dhe pikërisht nga kjo afërsi familjare vjen edhe një prej detajeve më të veçanta të asaj historie.
“Familja e Baggios më lidh më tepër edhe nganjëherë fakti që jetojmë ose jemi në të njëjtën rezidencë bashkë. I njoh vajzën, një djalë dhe një vajzë. Vajza e tij ka një lepur të vogël që ia ka vënë emrin Igli”, rrëfente Tare.
Pra, pas miqësisë që ishte krijuar mes dy familjeve, vajza e Roberto Baggios kishte marrë një lepur dhe i kishte vendosur emrin Igli, në nder të futbollistit shqiptar që në atë kohë ishte bërë pjesë e rrethit të tyre familjar.
Një detaj i vogël, por që tregon më shumë se çdo statistikë për afërsinë që kishte krijuar Tare me familjen Baggio gjatë aventurës së tyre në Brescia.
Por marrëdhënia mes dy futbollistëve nuk përfundoi me largimin nga klubi italian. Edhe 25 vite më vonë, Tare tregon se kontakti me Baggion ka vazhduar.
Në vitin 2001, Baggio foli publikisht edhe për Taren. I pyetur për sulmuesin shqiptar, ai vlerësoi punën dhe përkushtimin e tij, duke thënë se Tare e kishte merituar vlerësimin që kishte marrë.
Një miqësi që nisi në Brescia, vazhdoi përtej futbollit dhe mbeti një nga lidhjet e veçanta të karrierës italiane të Igli Tares.
25 vite më vonë, këto pamje dhe ky rrëfim rikthehen në dokumentarin “Exclusive” të gazetarit Endi Tufa, “Igli Tare – Të shkruash historinë”.
Top Channel