Është mbyllur protesta e 120-të qytetare kundër qeverisë, e zhvilluar këtë të diel në Tiranë, pas katër muajsh tubime të njëpasnjëshme.
Qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime dhe u përsëritën kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në ditën e 120-të të protestës, pjesëmarrësit shpalosën pankarta dhe hodhën slogane kundër qeverisë, ndërsa një prej mesazheve të përsëritura ishte “Edi Rama, jep dorëheqjen”. Në shesh u dëgjuan gjithashtu thirrjet “Ju erdhi fundi”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Ndryshim sistemi”.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit nisën marshimin në rrugët e Tiranës.
Gjatë protestës, aktivistët deklaruan se nuk e konsiderojnë përfundimin e ditës së 120-të si fundin e lëvizjes. Ata kanë përsëritur se do të vijojnë tubimet dhe se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre, mes të cilave është dorëheqja e kryeministrit, krijimi i një qeverie tranzitore dhe ndryshime politike e institucionale.













