Haaland shënon, por Portugalia feston, fiton 2-1 ndaj Norvegjisë

Portugalia ka mposhtur Norvegjinë me rezultatin 2-1 në Oslo, në një nga përballjet më të forta të raundit të dytë të Nations League.
Portugezët e nisën ndeshjen në mënyrë perfekte, duke kaluar në avantazh në minutën e 17-të me Joao Felix. Norvegjia reagoi pas pushimit dhe arriti të barazojë me Erling Haaland në minutën e 51-të, duke rikthyer emocionet në “Ullevaal”.
Megjithatë, Portugalia nuk u dorëzua dhe vetëm pak minuta më vonë, në të 54’, Gonçalo Ramos shënoi golin që rezultoi vendimtar për fitoren 2-1.
Sfida kishte një përballje të shumëpritur mes dy prej sulmuesve më të njohur të futbollit europian, Erling Haaland dhe Cristiano Ronaldo, edhe pse Ronaldo e nisi takimin nga stoli.
Me këtë sukses, Portugalia merr tri pikë të rëndësishme në Grupin A4, pas fitores 1-0 ndaj Uellsit në ndeshjen hapëse.
Norvegjia, ndërkohë, pëson humbjen e parë pas fitores spektakolare 3-2 ndaj Danimarkës.




