Dasmë luksoze prej 1 milion dollarësh në New York: Ish-avokatja e Trump martohet me biznesmenin turk

Ish-avokatja e Donald Trump dhe ish-prokurorja në detyrë e Nju Xhersit, Alina Habba, u martua me biznesmenin turk Turhan Mildon, drejtues i Miller Holding, kompani që vepron në sektorët e energjisë, ndërtimit dhe minierave.
Sipas New York Post, ceremonia u zhvillua në hotelin ikonik Waldorf Astoria në Manhattan, në një sallë mbresëlënëse në katin e katërt, e dekoruar me pemë qershish në lulëzim dhe qindra trëndafila të kuq.
Sipas një organizatori të njohur eventesh, vetëm qiraja e sallës, muzika dhe dekorimi mund të kenë kushtuar mbi 1 milion dollarë, pa përfshirë shpenzimet për dhomat e të ftuarve apo ambientet shtesë të hotelit.
Çifti thuhet se e organizoi dasmën në vetëm tre muaj, në bashkëpunim me dy organizatore të njohura dasmash nga Palm Beach. Fillimisht synonin ta zhvillonin ceremoninë në hotelin historik Plaza, por nuk kishte një datë të lirë.
Në mesin e të ftuarve në mbrëmjen luksoze ishin zyrtarë të administratës Trump dhe figura me ndikim në Uashington. Ndër ta ishin Margo Martin, asistente speciale dhe këshilltare për komunikimin e presidentit amerikan, drejtori i FBI-së Kash Patel dhe sekretari amerikan i Drejtësisë Todd Blanche.
I pranishëm ishte gjithashtu legjenda e boksit Mike Tyson. Donald Trump nuk mori pjesë në pritjen e dasmës, pasi ndodhej në Knoxville, Tennessee, për një ndeshje të futbollit amerikan universitar.
Marrëdhënia mes Habba-s, 42 vjeç, dhe Mildon, 29 vjeç, u bë publike në prill, kur ata u shfaqën së bashku në darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë. Më vonë, ata u panë së bashku edhe në një aktivitet të një klubi privat në Uashington me rastin e festës kombëtare amerikane të 4 Korrikut.



