Papa kundër eutanazisë gjatë vizitës në Francë: Mund të jetë e ligjshme, por jo morale
Autoritetet venezueliane kanë liruar një numër të madh të të burgosurve politikë, thonë grupet e të drejtave të njeriut, disa ditë pasi presidentja e përkohshme e vendit, Delcy Rodriguez, u takua me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në Nju Jork.
Midis të liruarve në orët e para të së shtunës ishte Wilder Vázquez, i cili u dënua në vitin 2018 me pesë vjet burg me akuzat për komplot për vrasjen e ish-Presidentit Nicolas Maduro.
U konfirmua gjithashtu lirimi i Miguel Castillo Centeno, i cili sipas tij ishte mbajtur në mënyrë arbitrare në paraburgim që nga qershori i vitit 2019. U lirua gjithashtu edhe
Frank Cabanas, i cili, sipas organizatave të të drejtave të njeriut, kishte qenë në burg për nëntë vjet (pavarësisht problemeve të tij shëndetësore gjatë vitit të fundit), pasi u lidh me vdekjen e një oficeri policie.
Ndërkohë, raporton BBC, figurat e opozitës rinovuan thirrjet e tyre për zgjedhje të lira pas bisedimeve të Rodriguez me Trump.
Qeveria e saj kishte liruar më parë qindra të burgosur si pjesë e një përpjekjeje pajtimi pas arrestimit të Maduros. Megjithatë, këto lirime u ngadalësuan ndjeshëm në prill, kur Rodriguez tha se programi po “po i afrohej fundit”.
Qeveria venezueliane nuk ka komentuar mbi lirimet e fundit, as nuk ka sqaruar nëse ato ishin rezultat i bisedës së Rodriguez me presidentin e SHBA-së.
Rodriguez është përpjekur ta portretizojë qeverinë e saj të përkohshme si më tolerante ndaj mospajtimit politik, ndërsa gjithashtu përpiqet të fitojë favorin e SHBA-së. Programi i lirimit të të burgosurve ishte një lëshim kyç që qeveria e saj i bëri SHBA-së.
Top Channel