Protestuesit u mblodhën sërish mbrëmjen e kësaj të diele në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në një tjetër tubim kundër qeverisë Rama. Kjo ishte protesta e 120-të e zhvilluar nga qytetarët, duke shënuar një tjetër ditë në protesat e njëpasnjëshme që vijojnë prej katër muajsh në Tiranë.
Një prej momenteve që tërhoqi vëmendjen ishte një mesazh i shkruar në asfaltin e bulevardit: “Krimi ka kokë!”. Shkrimi u kthye në një nga simbolet e protestës së kësaj të diele dhe u shoqërua me pankarta, flamuj, flakadanë dhe thirrje kundër qeverisë.
Tubimi nisi në sheshin “Skënderbej”, ku protestuesit u mblodhën fillimisht, për t’u zhvendosur më pas drejt Kryeministrisë. Prej aty, marshimi vijoi përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të qendrës së Tiranës.
Protestuesit e lidhën mesazhin e shkruar në asfalt me zhvillimet e fundit që lidhen me ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni. Ndaj saj, GJKKO ka caktuar masën e “arrestit në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra, në kuadër të hetimeve të SPAK-ut.
