Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Fillimjavë “e furishme”! Begaj mbledh socialistët te Pallati i Brigadave, pas diskutimeve për Hysenin, mazhoranca "zhvendoset" në Kuvend për takim me europianët

Shkruar nga Newsbomb
Fillimjavë “e furishme”! Begaj mbledh socialistët te
Pallati i Brigadave, Edi Rama, Bajram, Begaj, Kuvend

Teksa qytetarë të shumtë janë bërë bashkë duke kërkuar më këmbëngulje ndryshim të qeverisë, sidomos dhe pas skandalit të zbuluar së fundmi me ish-shefen e SHISH-it Vlora Hysenin, dy mbledhje të rëndësishme do të mbahen sot në fillimjavë, në kuadër të integrimit europian dhe sigurisë kombëtare.

Burime për mediat bëjnë me dije se Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, pritet të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në orën 08:30, në Pallatin e Brigadave, ku të pranishëm mësohet se do jenë Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, Ministri i Brendshëm Ervin Demo, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, si edhe drejtues të institucioneve të sigurisë, përfshirë SHISH-in, Policinë e Shtetit dhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Një mbledhje e cila vjen pas skandalit të ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, e cila aktualisht është në arrest shtëpie pasi akuzohet për përkrahje të autorit të krimit, rasti konkret biznesmenit Ergys Agasi dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.  

Në fokus të diskutimeve te Pallati i Brigadave do të jetë situata e sigurisë kombëtare, siguria e informacionit të klasifikuar dhe zhvillimet e fundit në Shërbimin Informativ të Shtetit. Po ashtu sot vëmendje pritet të marrë dhe drejtuesi i ri i komanduar në SHISH Elvis Lila.

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit:

Kuvendi – Kryetari Niko Peleshi

Këshilli i Ministrave – Kryeministri Edi Rama

Ministria e Mbrojtjes, Ermal Nufi

Ministria përgjegjëse për Punët e Jashtme, Ferit Hoxha

Ministria e Drejtësisë; Toni Gogu

Ministria përgjegjëse për Punët e Brendshme; Ervin Demo

Ministria përgjegjëse për Financat; Erion Malaj

Ministria përgjegjëse për Transportin; Enea Karakaçi

Ministria përgjegjëse për Energjinë; Enea Karakaçi

Komisioni i përhershëm parlamentar përgjegjës për sigurinë dhe mbrojtjen – kryetari i tij;  Bledar Çuçi,

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura – Shefi i Shtabit; Arben Kingji

Shërbimi Informativ i Shtetit – Drejtori; Elvis Lila

Policia e Shtetit – Drejtori i Përgjithshëm, Skënder Hitaj

Nga ana tjetër, pas mbylljes së takimit për sigurinë shtetërore në Kuvend, në orën 10:00 të mëngjesit të sotëm, do të mbahet Konferenca Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”.

Të pranishëm do të jetë Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve të tjera europiane, me fokus procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit.

Gjatë konferencës mësohet se fjalën përshëndetëse do ta mbajë kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, për të vijuar më tej me kryeministrin Edi Rama, ambasadoren e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, si dhe raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder. Ndërsa nga opozita mësohet se do të marrin pjesë Jorida Tabaku, Albana Vokshi dhe Agron Gjekmarkaj.

Konferenca e sotme do të zhvillohet në 3 sesione, ku do të diskutohen çështje që lidhen drejtpërsëdrejti  me integrimin europian të Shqipërisë. Sesioni i parë do t’i kushtohet zgjerimit të BE-së dhe rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit, ndërsa sesioni i dytë do të fokusohet te zgjerimi si faktor strategjik për reformat, stabilitetin dhe sigurinë. Në mbyllje, mësohet se sesioni i tretë do të trajtojë udhëheqjen parlamentare dhe angazhimin në avancimin e integrimit europian.

Konferenca do të moderohet nga kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, së bashku me përfaqësues të parlamenteve të vendeve pjesëmarrëse. Në fokus të diskutimeve pritet të jetë roli i parlamenteve në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, vijimi i reformave dhe forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar në funksion të integrimit europian të Shqipërisë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese