TIRANË- Krerët e shtetit dhe drejtuesit e institucioneve kryesore të sigurisë u mblodhën në Pallatin e Brigadave. Presidenti Bajram Begaj thirri mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare pas arrestimit të ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, nën akuzën se ndihmoi me informacione sekrete Ergys Agasin gjatë arratisë. Në fokus të diskutimeve ka qenë situata e sigurisë kombëtare dhe siguria e informacionit të klasifikuar.
Ligji përcakton qartë se cilët janë anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i cili përbëhet nga titullarët e 13 institucioneve dhe kryesohet nga Presidenti i Republikës. Në mbledhje ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili mbërriti dje në Shqipëri pas vizitës 6-ditore në SHBA dhe dha mesazhin e parë drejtuar shqiptarëve pasi Hyseni u vu nën akuzë.
Rama e bëri të qartë se Hyseni do ta ketë e vetme përballjen me drejtësinë, por e cilësoi masën ndaj saj ekstreme, duke argumentuar se SHISH u ekspozua ndaj një dëmi të madh që, sipas tij duhej të ishte parandaluar. Kryeministri theksoi se një hetim penal ndaj drejtuesit të Shërbimit Informativ Shtetëror nuk është vetëm çështje e drejtësisë, pasi mund të prekë edhe sigurinë kombëtare dhe interesat e shtetit. Për këtë arsye, Rama tha se në Këshillin e Sigurisë Kombëtare duhet të diskutohet se çfarë garancish nevojiten për të mbrojtur institucionet e sigurisë dhe informacionin e klasifikuar kur drejtuesit e tyre bëhen subjekt i hetimeve penale.
Në mbledhje mori pjesë edhe drejtuesi i komanduar i SHISH-it, Elvis Lila, i cili do ta drejtojë institucionin deri në zgjedhjen e një drejtuesi të ri. Rama ka deklaruar se për emrin e ri në krye të SHISH-it do të vendoset në konsultim me Presidentin.
Ligji parashikon se Presidenti Begaj mund të ftojë edhe persona të tjerë në mbledhje që lidhen me fushën e diskutimeve. Në të kaluarën, Presidenti i Republikës ka ftuar edhe përfaqësues të opozitës në mbledhjet e Këshillit, por këtë herë nuk ka pasur ftesa për përfaqësues të opozitës.
Partia Demokratike thotë se mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurisë lidhur me zhvillimet e fundit në vend pas arrestit të ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit, është veç një fasadë. Deputeti Bardh Spahia shprehet në një reagim se shpëtimi nuk mund të vijë nga ata që e shkaktuan situatën.
Në pretendimet e tij, kërkon shpërbërjen e menjëhershme të shtetit të lidhur me krimin, largimin e kastës politike dhe formimin e qeverisë teknike për zgjedhje të lira.
Reagimi i plotë:
Mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurisë Kombëtare nuk është gjë tjetër veçse një maskaradë e pështirë, e orkestruar nga po ata krerë institucionesh që e zhytën vendin në këtë humnerë pasigurie, kriminaliteti dhe degradimi.
Kush diskuton sot për sigurinë kombëtare?Një tryezë ku shumica dërrmuese e anëtarëve janë të kapur mat në përgjime, në pazare të pista, në ndarje parash dhe në bashkëqeverisje të hapur me krimin e organizuar! Si mund të presë një popull i tërë mbrojtje nga ata që e kanë vënë shtetin në shërbim të bandave për të ruajtur pushtetin dhe paratë e vjedhura?
Shkaktarët nuk mund të jenë kurrë shpëtimtarë!
Siguria kombëtare nuk mund të mbetet në duart e antikombëtarëve që shesin të ardhmen e vendit në duart e krimit.
I vetmi akt me një fije dinjiteti i këtij këshilli të padinjitet, i kësaj qeverie dhe i këtij parlamenti të kapur, do të ishte një dhe i vetëm: vetëshkrirja dhe largimi pa kthim!
Shqipëria nuk ka nevojë për mbledhje fasadë, por për:
Shpërbërjen e menjëhershme të një shteti të kapur në "krevat" me krimin.
Largimin e kësaj kaste të komprometuar dhe të zhytur në dosje e përgjime.
Formimin e një qeverie teknike që garanton njëherë e mirë të drejtën themelore të mohuar: votën e lirë e të ndershme.
Maskat kanë rënë dhe koha e maskarenjve ka marrë fund!
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Pallatin e Brigadave, aty ku do të mblidhet Këshilli i Sigurisë kombëtare për situatën e krijuar në vend pas arrestit ndaj ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni.
-
Siguria Kombat are eshte n rregull....Rama aty, Berisha eshte gjalle,Balluku edhe ate s na e ka lujt kush,te gjith aty jane t forte e gjith shendet.ca problemi ka?!!!
Përgjigju











Komente
Komento