Pesë burra janë arrestuar pranë bazës ajrore RAF Fairford në Britani, në kuadër të hetimeve për dyshime mbi përgatitjen e një akti terrorist dhe për vepra penale që lidhen me eksplozivët.
Të lidhura
None found
Kontrollet në zonë vijojnë nga ekipet britanike për çaktivizimin e bombave, të cilat po inspektojnë edhe tre automjete. Si masë paraprake sigurie, dhjetëra banesa pranë vendit të ngjarjes janë evakuuar.
Sipas policisë kundër terrorizmit, të pesë të dyshuarit ndodhen ende në paraburgim. Hetimi është në fazën fillestare, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë publike as identitetet e tyre dhe as motivin e dyshuar.
Mediat britanike raportojnë se banorët vendas mund të kenë ndihmuar në njoftimin e autoriteteve. Ky version ndryshon nga deklarata e presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se të dyshuarit ishin mbajtur nën vëzhgim prej një kohe të gjatë.
Gjatë operacionit, pranë bazës janë dëgjuar dy shpërthime të kontrolluara. Autoritetet po vijojnë punën në terren.
RAF Fairford përdoret nga Forcat Ajrore të SHBA-së dhe ka shërbyer si bazë për bombarduesit amerikanë me rreze të gjatë veprimi. Masat e sigurisë janë shtuar nga autoritetet britanike dhe amerikane, ndërsa hetimet për ngjarjen vazhdojnë.
