Ndërsa Kosova ka nisur hapa konkretë për ndërtimin e lidhjes rrugore Prizren–Tetovë, në anën tjetër të kufirit ende mungon projekti i plotë për trasenë. Pavarësisht kësaj, një pjesë e rrugës po ndërtohet në drejtim të Shipkovicës, edhe pse projekti përfundimtar i gjithë aksit nuk është përmbyllur. Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, thotë se segmenti aktual do të harmonizohet më vonë me projektin final, por konfirmon se deri tani nuk ekziston një projekt konkret.
Të lidhura
None found
“Ne nuk kemi projekt komplet për trasenë e rrugës. Ka pasur një studim, i cili ka ofruar disa opsione, dhe ne tani po realizojmë një segment të asaj traseje. Në bazë të studimit, rruga shkon nga Tetova deri në fshatin Shipkovicë, ku janë paraparë disa opsione. Njëri prej tyre është edhe ky që po realizohet. Për momentin nuk ka projekt konkret. Në momentin kur të realizohet projekti, do të përshtatet edhe traseja e rrugës me rrugët ekzistuese dhe do të parashihet edhe dalja për në Shipkovicë.”, deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Sipas Kasamit, për ndërtimin e rrugës dhe tunelit janë analizuar disa alternativa. Dy qeveritë kanë zgjedhur variantin që parashikon një tunel rreth gjashtë kilometra të gjatë, por edhe kjo zgjidhje, thekson ai, ende nuk është shndërruar në projekt të plotë.
“Për disa zgjedhje janë ofruar disa opsione. E dini se edhe tuneli, në bazë të studimit që punohet sot për rrugën Tetovë–Prizren, ka pasur tre opsione. Një opsion ka qenë pa tunel, të shkohet në majë të kodrës, një opsion ka qenë me tre kilometra dhe gjashtë kilometra. Për momentin, qeveritë e dy shteteve kanë vendosur opsionin me tunel gjashtë kilometra. Prandaj, rruga nuk është projekt konkret, ka studim dhe ka projekt ideor.”, u shpreh Kasami.
Ndërkohë, në Kosovë po vijojnë përpjekjet për realizimin e rrugës Prizren–Tetovë. Gjatë takimit në Nju Jork me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi përshpejtimin e procedurave për tunelin që do të lidhë Prizrenin me Tetovën.
“Theksova rëndësinë e përshpejtimit të procedurave për tunelin Prizren-Tetovë, si projekt me rëndësi të veçantë për qytetarët, sikurse edhe për zhvillimin e turizmit dhe ekonomitë e të dyja vendeve.”, shkruan Kurti në rrjetin e tij në Facebook.
Vlera e projektit llogaritet në rreth 200 milionë euro dhe financimi pritet të bëhet bashkërisht nga dy qeveritë. Përfundimi i tij do të shkurtonte ndjeshëm distancën mes Tetovës dhe Prizrenit, duke mundësuar një lidhje më të shpejtë e më të drejtpërdrejtë dhe duke krijuar hapësirë për zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit. Megjithatë, përderisa Kosova flet për përshpejtim të procedurave, në anën tjetër të kufirit procesi mbetet ende në fazën e studimeve, alternativave dhe projektit ideor.
