Arrestimi i Vlora Hysenit, Presidenti Begaj mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Këtë të hënë në orën 08:30, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, do të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Mbledhja zhvillohet në një kohë kur në fokus është bërë hetimi ndaj ish-drejtoreshës së institucionit, Vlora Hyseni, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Gjatë takimit pritet të diskutohen situata e sigurisë kombëtare dhe siguria e informacionit të klasifikuar.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare përbëhet nga titullarët e 13 institucioneve dhe kryesohet nga Presidenti i Republikës.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Vlora Hyseni do ta përballojë e vetme procesin përpara drejtësisë, ndërsa e ka cilësuar masën e sigurisë ndaj saj ekstreme.
Sipas Ramës, SHISH-i u ekspozua ndaj një dëmi të madh, i cili, sipas tij, duhej të ishte parandaluar.
Në mbledhje do të marrë pjesë edhe drejtuesi i komanduar i SHISH-it, Elvis Lila, i cili do ta drejtojë institucionin deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri. Rama ka deklaruar se për emrin e ri në krye të SHISH-it do të vendoset në konsultim me Presidentin.
ANËTARËT E KËSHILLIT TË SIGURIMIT
Këshilli i Sigurisë Kombëtare kryesohet nga Presidenti i Republikës.
Kuvendi – Kryetari Niko Peleshi
Këshilli i Ministrave – Kryeministri Edi Rama
Ministria e Mbrojtjes – Ermal Nufi
Ministria përgjegjëse për Punët e Jashtme – Ferit Hoxha
Ministria e Drejtësisë – Toni Gogu
Ministria përgjegjëse për Punët e Brendshme – Ervin Demo
Ministria përgjegjëse për Financat – Petrit Malaj
Ministria përgjegjëse për Transportin – Enea Karakaçi
Ministria përgjegjëse për Energjinë – Enea Karakaçi
Komisioni i përhershëm parlamentar përgjegjës për sigurinë dhe mbrojtjen – kryetari Bledar Çuçi
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura – Shefi i Shtabit Arben Kingji
Shërbimi Informativ i Shtetit – Drejtori Elvis Lila
Policia e Shtetit – Drejtori i Përgjithshëm Skënder Hitaj




