Shuhet në moshën 40-vjeçare mundësi i njohur, “Pac” kishte dalë në ring vetëm një ditë më parë

Botë

Publikuar: 28/09/2026

Shuhet në moshën 40-vjeçare mundësi i njohur, “Pac” kishte dalë në ring vetëm një ditë më parë

Është ndarë nga jeta në moshën 40-vjeçare mundësi britanik Benjamin Satterley, një prej emrave të njohur të Wrestling-ut, i cili në ring njihej si “Pac”. Vdekja e tij është konfirmuar nga përfaqësuesit e sportistit, ndërsa All Elite Wrestling (AEW), ku ai garonte prej vitit 2019, ka reaguar për humbjen e papritur të 40-vjeçarit.

Satterley ndërroi jetë vetëm një ditë pasi kishte marrë pjesë në eventin “All Out” të AEW-së, të zhvilluar të shtunën në mbrëmje në Çikago. Shkaqet e vdekjes së tij nuk janë bërë ende publike.
I lindur në Newcastle upon Tyne, në Angli, ai e nisi rrugëtimin në Wrestling në vitin 2004. Për më shumë se dy dekada, Satterley ndërtoi një karrierë ndërkombëtare, duke u ngjitur në ringjet e disa prej organizatave më të mëdha të këtij sporti.

AEW e kujtoi 40-vjeçarin si një prej sportistëve që kishte fituar publikun falë stilit spektakolar, lëvizjeve ajrore dhe aftësive të veçanta në ring. Gjatë viteve në këtë organizatë, ai fitoi disa tituj dhe ishte protagonist në ndeshje që AEW i konsideron ndër më të paharrueshmet e historisë së saj.

Përpara se t’i bashkohej AEW-së, Satterley kishte garuar në WWE, New Japan Pro-Wrestling, si dhe në Consejo Mundial de Lucha Libre në Meksikë, duke krijuar një emër të njohur në Wrestling-un ndërkombëtar.

Gjatë karrierës ai përdori disa emra në ring, mes tyre “Pac” dhe “Adrian Neville”, ndërsa njihej gjithashtu me nofkën “The Man that Gravity Forgot”. Nofka lidhej me stilin e tij karakteristik dhe lëvizjet spektakolare, përfshirë një prej goditjeve përmbyllëse, ku hidhej nga pjesa e sipërme e ringut dhe kryente një rrotullim 360 gradë përpara se të godiste kundërshtarin.
Ndarja e tij nga jeta ka sjellë reagime të shumta nga emra të njohur të Wrestling-ut. Legjenda e WWE-së, Paul Heyman, e cilësoi vdekjen e tij si “një humbje vërtet të tmerrshme”, duke e kujtuar Satterley si një talent të jashtëzakonshëm dhe një njeri edhe më të mirë.

Edhe presidenti i AEW-së, Tony Khan, reagoi për humbjen e 40-vjeçarit, duke e përshkruar atë si të jashtëzakonshëm në rolin e bashkëshortit, mikut dhe sportistit. Khan vlerësoi gjithashtu njohuritë, aftësitë dhe atletizmin që Satterley kishte treguar gjatë karrierës së tij.

/pamfleti