Çmimi i naftës u rrit me më shumë se 3% në nisje të tregtimit të së hënës, pasi Presidenti amerikan Donald Trump refuzoi propozimin e Iranit për një armëpushim 7-ditor dhe rihapjen e ngushticës së Hormuzit. Nafta Brent kaloi mbi 107 dollarë për fuçi, ndërsa WTI u ngjit mbi 94 dollarë, duke rikthyer shqetësimet për furnizimin global me energji dhe ndikimin e mundshëm në inflacion.
Irani kishte propozuar një armëpushim të përkohshëm, të shoqëruar me rihapjen e Hormuzit, por Teherani e ka lidhur këtë hap me kushte si lirimi i aseteve të ngrira, heqja e sanksioneve ndaj eksporteve të naftës dhe përfundimi i bllokadës detare amerikane. Trump e refuzoi propozimin, megjithëse më vonë deklaroi se priste rifillimin e negociatave. Ngushtica e Hormuzit mbetet një korridor kyç për transportin global të energjisë dhe çdo kufizim i trafikut detar mund të ndikojë ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare.
Rritja e çmimit të naftës ushtroi presion edhe mbi tregjet financiare, ndërsa investitorët shqetësohen për pasojat mbi inflacionin dhe normat e interesit. Yield-i i obligacionit 10-vjeçar amerikan kaloi përkohësisht 5.21%, ndërsa dollari u forcua dhe ari ra me më shumë se 2%. Vëmendja tashmë është përqendruar te Rezerva Federale dhe mënyra se si shtrenjtimi i energjisë mund të ndikojë në vendimet e ardhshme për politikën monetare.