Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, kanë refuzuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për uljen në një tryezë të përbashkët, për të diskutuar për pagat e tyre. Mbledhja do të mbahej sot, në orën 12:30.
Raportohet se të dyja shoqatat kryesore të gjyqtarëve, kërkojnë që të zbatohet vendimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese, e cila urdhëroi qeverinë të paguan magjistratët me pagat e rritura.
Dy pushtetet, ekzekutivi dhe gjyqësori, janë përfshirë prej javësh në një debat në distancë dhe kryeministri Edi Rama i kishte ftuar palët sot në një tryezë bisedimesh, në orën 12:30, mirëpo duket se ka marrë një përgjigje negative.
Mw 25 Shtator, në nisje të mbledhjes së përgjithshme të Gjyqtarëve të Republikës, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi është shprehur kundër propozimit të kryeministrit Edi Rama, që magjistratët të ulen në tryezën e dialogut për të negociuar për pagat. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka folur dhe Kushtetuta nuk negociohet.
"Për mosmarrëveshjen rreth ligjit për pagat e magjistratëve, është Gjykata Kushtetuese që do të vendos përfundimisht. Kushtetuta nuk negociohet. As gjykimi kushtetues nuk mund të zëvendësohet nga një tryezë dialogu. Vendimi që do të merret duhet të respektohet dhe të zbatohet.
Kjo është arsyeja pse duhet të jemi të qartë edhe për objektin e tryezës së konsultimit, në të cilën Kryeministri ka ftuar të gjithë drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, të gjykatave dhe të prokurorive të Republikës. Objekti i saj është politika e pagave në sistemin e drejtësisë dhe mekanizmi për përcaktimin e tyre.
Pikërisht për këtë çështje qëndrimi ynë duhet të jetë i qartë. Për sa kohë ligji dhe pretendimet kushtetuese të ngritura ndaj tij janë në shqyrtim përpara Gjykatës Kushtetuese, themeli juridik i kësaj mosmarrëveshjeje nuk mund të negociohet në një tryezë tjetër. Nuk mund të negociohet kuptimi i Kushtetutës, fuqia detyruese e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe as të paraprihet ajo që mund të vendoset prej saj", është shprehur Sokol Sadushi.
Megjithatë, kryegjyqtari i Shqipërisë thekson se kjo nuk do të thotë se ata duhet të mbyllin derën e dialogut, por ato që mendojnë, ato që diskutojnë ndërmjet tyre dhe ato që kanë bërë publike, duhet të kenë gatishmërinë t’i thonë drejtpërdrejt në çdo tryezë. Sipas tij. prania në tryezë nuk do të thotë heqje dorë nga qëndrimet dhe as pranim i premisave të palës tjetër.
"Pushtetet janë të ndara, por shteti është një. Edhe qytetari është i njëjti. Për të, ndarja e kompetencave dhe e përgjegjësive buxhetore ndërmjet institucioneve nuk mund të shërbejë si shpjegim për vonesën e drejtësisë. Ai pret që çështja e tij të gjykohet në kohë, me cilësi dhe me dinjitet. Për këtë duhet të shërbejë dialogu, që çdo pushtet të përmbushë detyrën e vet dhe që pushtetet, së bashku, të krijojnë kushtet që drejtësia të funksionojë", u shpreh më tej ai.
