Nga Gregory Leclerc, NICE MATIN
Mallëngjimi i thellë, saudade, ndihej këtë të diel në fushën sportive Thérèse-Roméo, në rrugën Clément-Roassal në Nice të Francës.
Në lot, me grushtet e shtrënguara, me sytë e përlotur. Në bluzat me mbishkrimin “Milton përgjithmonë”. Edhe në heshtje. Një trishtim i pafund që pushtoi turmën prej më shumë se dyqind personash, të ardhur për të marrë pjesë në zbulimin e një murali në nderim të Miltonit, 20 vjeç, i vrarë në Shqipëri këtë verë.
Nga kjo ceremoni do të mbetet në mendje saudade, dhimbja. Dhimbja e José-s, babait, i rrënuar përpara muralit që paraqet të birin, i cili vdiq në prag të viteve të tij më të bukura.
Vepra, mbresëlënëse për realizmin e saj, u realizua nga artisti nga Nice, Kha, me emrin e vërtetë Nicolas Adepo.
Luis Miguel Varela Mendes, i mbiquajtur “Milton”, me origjinë nga Kepi i Gjelbër, vdiq natën e 17-18 gushtit, ndërsa po kalonte disa ditë pushime me miqtë e tij në Ksamil, një qendër turistike bregdetare në jug të Shqipërisë.
Një përleshje shpërtheu rreth orës 5:15 në një lokal dhe më pas vazhdoi në një plazh. Miltoni u godit me thikë për vdekje.
Një i dyshuar 29-vjeçar u arrestua disa orë më vonë nga policia shqiptare dhe u vendos në paraburgim.
Në Nice, në lagjen e tij, lajmi pati efektin e një shpërthimi. Saudade pushtoi zemrat.
“Saudade” është ajo fjalë portugeze kaq e vështirë për t’u përkthyer. Cesária Évora, zëri i madh i Kepit të Gjelbër që e këndoi gjatë gjithë jetës së saj, e përshkruante si “më të thellë se nostalgjia”.
Një dhimbje e lindur nga ndarja, të cilën nuk mund ta harrosh. Që mbetet gjithmonë e pranishme.
Këtë të diel, askush nuk kishte vërtet nevojë ta dinte përkufizimin e saj. Mjaftonte të shikoje José-n, babanë e tij, por edhe Ayrtonin, vëllain e tij, kumbarën e tij dhe njerëzit e afërt.
I varrosur në Portugali
Miltoni u varros javën e kaluar në Portugali. Babai i tij u kthye në Nice për këtë përkujtimore.
Nëna e tij, Maria-Julia, qëndroi në vendlindje.
“Njëzet vjeç. Njëzet vjeç është shumë herët për të vdekur”, thotë Dario Lutchmayah, nënkryetar i bashkisë së Nice-s, i ardhur për të përfaqësuar Éric Ciotti-n, kryetarin e Nice-s.
“Që nga 18 gushti i kaluar, familja e Miltonit dhe komuniteti i Kepit të Gjelbër po përjetojnë një saudade të tmerrshme.”
Ishte këtu, në lagjen Vernier, në kufi me lagjen Libération, ku ai luante futboll, ngacmonte të tjerët me shaka, qeshte dhe kujdesej për më të vegjlit.
Një djalë i qeshur, që bashkonte njerëzit.
Ai kishte kaluar shumë kohë edhe në lagjen Gambetta. Prej afro tetë vitesh ishte i njohur nga edukatorët e La Semeuse.
“Ai dinte të krijonte lidhje. Mund të pozicionohej spontanisht si ndërmjetës, të përpiqej të qetësonte një tension, të bashkonte njerëzit në vend që t’i ndante”, tregon presidenti i saj, Jean Fournier.
Një nga edukatorët e tij të specializuar, Quentin Ballestra, e përmbledh kështu: “Ai bën pjesë tek ata njerëz që mendojnë se jetën duhet ta ndash me të tjerët. Një i ri qendror në lagje. Kur shihte dikë që nuk ishte mirë, ai lajmëronte.”
Miltoni i ndihmonte familjes, ndihmonte në organizimin e turneve për më të vegjlit dhe po përgatitej të merrte patentën e makinës.
Një trup atletik, një fytyrë e buzëqeshur.
Jean Fournier, presidenti i Semeuse-s, tregon për “aftësinë e tij të natyrshme për t’iu afruar të tjerëve, humorin e tij, ngacmimet me shaka, të qeshurën e tij”.
Këtë të diel, Miltoni dëshmoi edhe një herë gjithë aftësinë e tij për të bashkuar njerëzit.
“Nuk ka fjalë për gjithë këtë. Nuk e dija se kishte kaq shumë njerëz rreth tij. Ishte një djalë i mirë”, thotë me zë të ulët kumbarja e tij.
Eduardo Lourenço, një filozof dhe eseist portugez, kishte një tjetër përkufizim të bukur për saudade:
“Një mënyrë tjetër për të qenë i pranishëm në të kaluarën, ose për të qenë e kaluara në të tashmen.”
Miltoni do të mbetet mishërimi i kësaj ndjenje në këtë cep rruge të kryeqytetit të Rivierës Franceze.
Dhe në zemrat e njerëzve të tij të afërt.



© SYRI.net