Në grup, magjistratët dhe drejtuesit e institucioneve kryesore të Drejtësisë refuzuan ftesën e kryeministrit Edi Rama për të diskutuar gjatë ditës së sotme, një mekanizëm të ri për sistemin e pagave. Fakti që çështja është në Gjykatën Kushtetuese, e bënte sipas tyre të pavend cdo diskutim. Megjithatë qeveria duket të jetë e vendosur të mos tërhiqet, dhe njofton se do të ecë përpara për hartimin e një ligji të ri
***
Të premten e kaluar kryeministria u detyrua t’i nisë një tjetër email drejtuesve të institucioneve të Drejtësisë dhe shoqatave të magjistratëve për t’u kujtuar se duhet të konfirmonin pjesëmarrjen në tryezën e propozuar nga kryeministri. Vetëm KLGJ, kishte thënë “Po” deri atë moment. Të tjerët, pas përplasjes së fortë me ekzekutivin, kishin preferuar heshtjen. Në ndërkohë, që prej 21 shtatorit, çështja e debatuar e pagave kishte përfunduar në Gjykatën Kushtetuese, pasi shumica zgjodhi të kalonte formulën e propozuar prej saj, por të kundërshtuar dhe publikisht nga magjistratët.
Përgjigjet që pasuan emailin e së premtes, ishin refuzuese ndaj tryezës. Argumenti i magjistratëve lidhej me faktin se nuk mund të diskutohej diçka për të cilën pritej një vendim i kushtetueses. Megjithatë, që të gjithë ishin kujdesur që ky refuzim të mos tingëllonte si një mbyllje dere ndaj dialogut me ekzekutivin, duke u treguar të hapur për komunikim mes palëve.
"Deri në një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me padinë e paraqitur nga shoqatat e magjistratëve, është e pamundur për ne pjesëmarrja në tryezën e konsultimit të datës 28 shtator 2026, pa e konsideruar këtë mospjesëmarrje, si një mbyllje të dialogut institucional. Përkundrazi, mbetemi të hapur për çdo komunikim dhe dialog institucional në një moment të përshtatshëm, pas qartësimit të situatës nga Gjykata Kushtetuese", tha Unioni i Gjyqtarëve.
"Shoqata çmon se diskutimi i propozuar mund të zhvillohet në një moment të mëvonshëm, pasi të jetë qartësuar kuadri kushtetues përkatës. Ky qëndrim nuk përbën tërheqje nga dialogu institucional dhe as kufizim të gatishmërisë sonë për të kontribuar në diskutime që synojnë përmirësimin e qëndrueshëm të funksionimit të sistemit gjyqësor. Në vlerësimin tonë, një dialog i tillë nuk duhet të kufizohet vetëm në dimensionin financiar të statusit të magjistratit, por mund të përfshijë çdo element që ndikon në pavarësinë, eficiencën dhe cilësinë e drejtësisë", tha Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve.
Madje nga ana e tij kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, është i mendimit se më shumë sa për pagat, është e nevojshme të diskutohet për funksionimin dhe konsolidimin e sistemit dhe problemeve që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe kohën e dhënies së drejtësisë.
"Drejtësia ka nevojë për një tryezë me një dimension më të gjerë, kushtuar funksionimit dhe konsolidimit të sistemit dhe problemeve që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe kohën e dhënies së drejtësisë. Për hapjen e këtij dialogu, gatishmëria ime dhe e institucionit që përfaqësoj mbetet e plotë. Është një dialog i nevojshëm dhe tashmë i vonuar", tha Sokol Sadushi.
Në një situatë të tillë, kryeministrisë dukej se nuk i mbetej gjë tjetër veçse të shtynte takimin për një moment të dytë, ndonëse fakti se çështja në Kushtetuese, është pengesë për të diskutuar për pagat, nuk i duket një argument bindës
“Mirëkuptojmë këtë kërkesë, ndonëse vlerësojmë se dialogu dhe bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet aktorëve të ndryshëm të sistemit të drejtësisë mbetet i rëndësishëm dhe, në parim, i pavarur nga procese të tjera që mund të zhvillohen paralelisht”, u tha Sekretarja e përgjithshme, Elsonida Rama.
Madje në përgjigjen e kryeministrisë njoftohet se “Duke filluar nga dita e nesërme, do të vijojmë punën për hartimin e ligjit të ri mbi pagat, mbi të cilin ishte përgatitur edhe një parashtrim i përgjithshëm, me synimin për ta shtruar si pjesë të diskutimit dhe dialogut të përbashkët gjatë takimit”.
Zanafilla e përplasjes mes palëve ishte mosrespektimi nga ana e socislistëve, i afatit të vendosur nga Kushtetuesja për miratimin e një formule të re pagash për magjistratët brenda 31 korrikut. Ndërsa më 18 shtator, me 84 vota të shumicës parlamenti miratoi një skemë që përcakton se paga referuese e magjistratëve do të jetë sa 38% e pagës së Presidenti të Republikës nga 36% që ishte, me një rritje prej rreth 8500 lekësh. Rritja me 8500 lekë e pagës referencë është 9-fish më e vogël se ajo që vetë magjistratët thonë se ka vendosur GJK, e cila tani, do të duhet të rishprehet për këtë çështje.
-
Po mire o gjyqtare dhe prekurore po nga vini nga planet tjeter po vareni nga parlamenti e jo nga vetja si te doni dhe sic po e ktheni vendin vetem drejtesi nuk jepni po vetem nuk u ngopet se u mesuat me ate qe shkateroj shqiperin turp tu vi dhe qeveria dhe ministria e drejtesis ti kaloj ne lupe te gjithe keta maskarenje qe flasin ne emer te drejtesis me shkollen e plepave
Përgjigju











Komente
Komento