Kaja Kallas: Rusia po planifikon akte të reja sabotazhi në Evropë

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, paralajmëroi sot se Rusia po planifikon akte të tjera sabotazhi dhe sulme ndaj vendeve evropiane.
Në deklaratën e saj para takimit të ministrave të Mbrojtjes të BE-së në Bruksel, Kallas tha se raportet e shërbimeve të inteligjencës tregojnë për plane të reja ruse që synojnë të përçajnë shoqëritë evropiane dhe të krijojnë frikë, me qëllim dobësimin e mbështetjes për Ukrainën.
“Duhet të jemi vigjilentë, pasi raportet e shërbimeve të inteligjencës tregojnë se Rusia po planifikon veprime të tjera sabotazhi dhe sulme ndaj demokracive tona”, u shpreh Kallas.
Ajo theksoi gjithashtu nevojën që vendet anëtare të BE-së të kontribuojnë me më shumë mjete detare për misionin “Mburroja”, i cili synon mbrojtjen e lundrimit tregtar në Detin e Kuq.
Kallas tha se u ka kërkuar vendeve anëtare të shtojnë kontributin e tyre në këtë mision, por deri tani nuk ka marrë angazhime të reja konkrete për dërgimin e anijeve.




